"Sipërmarrësit që merren me evazion" Rama kritika prokurorive: Janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu kritika për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, që sipas tij nuk kanë bërë sa duhet për luftimin e evazionit fiskal. Gjatë një takimi me pensionistët në Durrës, shefi i qeverisë tha se drejtësia duhet të shtrihet në të gjitha nivelet.

“Pavarësisht ecurisë së reformës në drejtësi, e vërteta është se çfarë sot shqiptarët shohin dhe përshëndesin si rezultat të reformës në drejtësi lidhen me Prokurorinë Speciale, ndërsa në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshme, kemi probleme të mëdha, që flasin që sa shumë nevojë ka kjo reforme që të shtrihet në praktikën e punës së këtyre prokurorive. Keni dëgjuar ju që ndonjë sipërmarrës të merret për evazion, keni dëgjuar? S’keni dëgjuar. Mendoni se nuk ka? Patjetër që ka. Administrata i ka identifikuar disa, ia ka referuar prokurorisë. Në Prokurorinë e Tiranës janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal. Evazorë, që më vjen ta them, por që e kanë prokurorinë në xhep, sepse nuk gjej asnjë arsye tjetër. Është i gjithë zinxhiri që duhet mbyllur”, tha ai.

Ai shtoi se nuk duhen toleruar ‘evazorët’ pasi një sjellje e tillë prodhon pasoja të mëdha. Rama, mes tjerash, u shpreh se qeveria do të vërë në praktikë inteligjencën artificiale që kompanitë ta kenë të pamundur për të shmangur deklarimet.

“Nëse ligji nuk vepron për këtë kategori si për gjithë të tjerët, ne kemi probleme të mëdha, sepse hallka e fundit i zinxhirit na mungon dhe prandaj është shumë e vështirë. Sot kemi digjitalizim të transaksioneve të bizneseve, edhe aty kanë nisur të bëjnë hile, por po vëmë në funksion në tjetër mekanizëm me inteligjencën artificiale që do e kenë të pamundur të na shmangen me deklarimet”, shtoi ai.