Borxhi publik zbret në 55.8 % e PBB-së, në 2025-ën

Borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse. Në vitin 2024, parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3 % të PBB dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8 %, në vitin 2025.

Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55 % në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5 % në vitin 2031.

Sipas projektbuxhetit të publikuar nga Ministria e Financave, huamarrja e brendshme gjatë vitit 2025 planifikohet në një vlerë prej 50 miliardë lekë, në të njëjtin nivel me vitin 2024.

Huamarrja e re në tregun e brendshëm pritet të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve, por gjithashtu duke ju përshtatur edhe preferencave të investitorëve për titujt.

Huamarrja e huaj parashikohet të realizohet kryesisht nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë ecurinë e zbatimit të projekteve prioritare të qeverisë, si dhe disbursimit të mbështetjeve buxhetore procedurat dhe kushtet paraprake të të cilave mund të arrijnë të plotësohen gjatë vitit 2025.

Në rast se kushtet e tregut do të jenë të favorshme, gjatë vitit 2025 planfikohet gjithashtu dhe emetimi i një Eurobondi.

Në total huamarrja e huaj gjatë vitit 2025 vlerësohet të jetë rreth 111.3 miliardë lekë, dhe duke konsideruar borxhin e huaj që ripaguhet gjatë vitit, huamarrja neto pritet të rezultojë në nivelin 8.2 miliardë lekë.

Bazuar në normat më të fundit të interesit, si edhe bazuar në nivelin e huamarrjes së brendshme dhe asaj të jashtme për vitin 2024 dhe 2025, shpenzimet për interesa në tregun e huaj pritet të jenë në nivele të krahasueshme me vitin 2024, ndërkohë në tregun e brendshëm shpenzimet për interesa janë planifikuar me një rritje prej rreth 3.4 miliardë lekë, krahasuar me vitin 2024.

Për sa i përket ripagesave të borxhit të jashtëm (principali), në vitin 2025 planifikohen të jenë në vlerën 103.12 miliardë lekë. Ripagesat në vitin 2025, përfshijnë veç të tjerave edhe maturimin e Eurobondit të emetuar në vitin 2018, në vlerën 39.9 miliardë lekë, si edhe maturimin e huasë së garantuar nga Banka Botërore në vlerën 200 milionë euro.