Shqipëria në SEPA, Bregu: Kursehen 2 mln euro në vit nga tarifat e ulura të transfertave ndërkufitare

Shqipëria pritet shumë shpejtë të hyjë në SEPA, Zonën e Përbashkët Evropiane të Pagesave, që do të lehtësoj transaksionet ndërkufitare dhe do të rrisë tregtinë dhe investimet.

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA shihet nga bankierët si një hap pozitiv, ku konsumatorët përfitojnë pagesa ndërkufitare të shpejta me kosto të ulët dhe Shqipëria forcon besueshmërinë në tregjet financiare ndërkombëtare.

Ledia Bregu, drejtoreshë e Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës pranë Bankës se Shqipërisë, në një intervistë për mediet tha se “përmes anëtarësimit në SEPA, kursehen rreth 2 milionë euro në vit nga tarifat e ulura të transfertave ndërkufitare”.

“Ky është një hap i rëndësishëm për bizneset që operojnë në tregjet europiane dhe emigrantët, ndërsa forcojmë besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet financiare ndërkombëtare me potencialin për të tërhequr më shumë investime të huaja”, theksoi Bregu.

Në SEPA përfshihen 36 vende anëtare dhe numri i tyre mund të shkojë në 42 vende vitet e ardhshme, me përfshirjen aty edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Qëllimi është që të gjitha vendet anëtare në SEPA, të kenë mundësinë të kryejnë transaksione, pagesa ndërkufitare me kosto shumë herë më të reduktuar dhe në kohë shumë të shpejtë si për individët, dhe bizneset njëkohësisht”, tha Bregu.

Sipas saj, pagesat aktuale u kushtojnë 0.6% për një pagesë 5 mijë euro nga vendet e BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që brenda të njëjtës zonë është 0.02%, që është një reduktim i  ndjeshëm për një transaksion të vetëm, ndërkohë mund të kursejmë me dhjetëra apo qindra euro nga volumet tregtare të eksport-importeve, remitancave, nëse komisionet lihen 1 apo 2 euro.

Bregu tha se, kursimet pritet të japin rritje të injektimit në ekonomi, ndërsa përfitohet mjaft kohë nga pagesat e shpejta dhe përkthehet në kosto të përfituar.

Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

Përfshirja e Shqipërisë në të do të ndikojë zhvillimin financiar dhe ekonomik të vendit, duke kontribuuar në integrimin e mëtejshëm të saj me tregun e BE-së.

Më datë 12 qershor 2024, Guvernatori i BSH-së Gent Sejko, firmosi aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të skemave SEPA, duke u bërë kështu, vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrator i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian. Ky i fundit duhet të japë dakordësinë e tij, në kontekstin e integrimit të vendeve joanëtare me tregun evropian, bazuar në rregulla dhe standarde të njëjta.