Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulm kundër kryetarit të Pejës
Gjykata Themelore në Pejë ka urdhëruar të hënën një muaj paraburgim ndaj dy personave të cilët dyshohet se e kishin sulmuar fizikisht kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në fundjavë.
Muhaxheri dhe një shoqërues i tij u sulmuan nga dy persona mëngjesin e së shtunës në qytetin perëndimor të vendit.
Dy persona u arrestuan ditën e sulmit dhe të hënën gjykata e pranoi kërkesën e prokurorëve që ata të mbahen në paraburgim për 30 ditë, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
Ata akuzohen për dy vepra penale, për sulm ndaj personit zyrtar dhe për shkaktim të lëndimeve të lehta trupore.
Pas sulmit, Muhaxheri e kishte publikuar një fotografi në Facebook, duke treguar se ishte mirë me shëndet.
Avokati i Muhaxherit, Dukagjin Kërveshi, tha përmes një postimi në Facebook se kryetari i Pejës beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare.
Partia e Muhaxherit, Lidhja Demokratike e Kosovës, dënoi ashpër sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke kërkuar që personat e dyshuar të përballen me drejtësinë./REL
