FOTO+VIDEO/ Opozita bllokon foltoren dhe shpalos pankartat "antiqeveritare", PS "qan hallet" e popullit
Kuvendi ka nisur punimet në seancë plenare, ndërsa nga opozita, bazuar në vendimin e Grupit Parlamentar të PD-së, do të jenë të pranishëm vetëm deputetët që nuk kanë masë disiplinore, pra që nuk janë përjashtuar.
Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren dhe kanë shpalosur pankartat: "Edi Rama, Narcostate";
"Free and fair elections".
Në seancë janë regjistruar vetëm 7 deputetë që do të diskutojnë lidhur me problemet e qytetarëve, ashtu sikundër është përcaktuar edhe në rendin e ditës.
Nga video e mëposhtme shihet se përveç një barriere me hekura që ndodhet pranë shkallëve hyrëse të Kuvendit, nuk ka as punonjës të Gardës së Republikës në forca të shtuara sikundër jemi mësuar të shohim pamjet në javët e fundit.
Deputetë të opozitës kanë hyrë në seancë, e cila po drejtohet nga nënkryetari Bledi Çuçi. Që në momentet e para ata janë vendosur te foltorja e Kuvendit duke e bllokuar, ndërsa mbajnë pankarta dhe i bien tavolinave.

