Denaj: Eksportet bujqësore, 19% më shumë se në 2023; Në 80 tregje elitare
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bashkë me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja morën pjesë sot në aktivitetin “Shije të territorit dhe traditës Shqiptare”, organizuar në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Denaj, në një postim në rrjetet sociale tha se, “produktet bujqësore, tashmë gjenden në 80 tregje elitare ndërkombëtare duke njohur konsumatorët me shijen dhe cilësinë unike të produkteve Made in Albania”.
Sipas saj, gjatë periudhës janar-shtator 2024 janë eksportuar afërsisht 360 mijë ton produkte bujqësore duke shënuar rritje me 19% krahasuar me një vit më parë. Denaj u ndal edhe në zhvillimet që ka marrë agroturizmi.
“Sot, agroturizmi është burim të ardhurash për ekonominë lokale dhe një ndërthurje e kulturës, kulinarisë dhe traditave shqiptare”, u shpreh ministrja.
Denaj deklaroi se, me mbështetjen e qeverisë dhe incentivave për këtë sektor, Shqipëria po shndërrohet në një model suksesi për zhvillimin rural dhe ekonomik.
