Zbardhen propozimet e PD-së për rezolutën e Komitetit të përbashkët me PE: PS të heqë dorë nga përdorimi i drejtësisë!
Rreth 15 europarlamentare anëtarë të Komitetit të Stabilizim Asociimit do të zhvillojë në Tiranë takime me institucionet shqiptare.
24 orë përpara se eurodeputetët të zbarkojnë në Shqipëri Partia Demokratike ka paraqitur propozime për rezolutën që reflektojnë shqetësimet e opozitës.
Dokumenti tashmë u është dorëzuar zyrtarisht ku shprehin angazhimin e pakushtëzuar në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ndaj të njëjtën gjë kërkojnë për të gjithë palët politike.
Sa i përket sjelljes së mazhorancës qeverisëse apelojnë të heqë dorë nga përdorimi politik mbi drejtësinë dhe të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Një nga shqetësimet kryesore të PD-së është lidhja, sipas tyre, të politikës me krimin e organizuar, një fenomen që shtojnë se ka nxjerrë në pah skandale të shumta, përfshirë përgjimet e fundit të SKY/EÇ për listat zgjedhore në Durrës.
Opozita bën thirrje për një reformë zgjedhore gjithpërfshirëse, që zbaton rekomandimet e OSBE-ODIHR, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Deputetët e PD-së shprehen se kalimi i ligjeve pa konsensus politik dëmton parimet e demokracisë.
Në propozimin e tyre për rezolutën që do të hartojnë europarlamentarët PD kërkon përfshirjen e një pike për një dialog të mirëfilltë politik për të nxitur stabilitet dhe progres, në mënyrë që opozita të përfshihet në proceset vendimmarrëse dhe një qasje më transparente nga mazhoranca, duke theksuar se integrimi i Shqipërisë nuk mund të jetë një proces përjashtues.
Anëtarët e komitetit të stabilizim asociimit mbërrijnë mëngjesin e së martës ku do të qëndrojnë për dy ditë. Në axhendë parashikohen takime me krerët më të lartë të vendit, grupet parlamentare, shoqëri civile dhe ambasadorë të akredituar në tiranë.
