102 kontejnerë me mbetje toksike/ Prokuroria vendos sekuestro: Monitorim 24 orë me kamera
Prokuroria e Durrësit ka vendosur nën sekuestro të 102 kontejnerët ku thuhet se janë vendosur mbetjet kimike të konsideruara të rrezikshme.
Në dokumentin e firmosur nga Suela Beluli dhe Mediana Meta thuhet se lënda duhet të vendoset në një ambient të sigurt dhe të ruhen 24 orë me kamera sigurie.
Po ashtu transporti nga anija Moliva, e cila mbërriti këtë të hënë në portin e Durrësit, duhet të bëhet pa hapur kontejnerët dhe pa cenuar vulat e tyre.
Më herët është thënë se janë sekuestruar dhe dokumentet për procedurat e eksportit të fillimit të gushtit nga Shqipëria drejt Tajlandës dhe që i përkasin kopanisë së transportit Sokolaj dhe marrës GS Minerals doo.
Sinjali i parë për transportin e mbetjeve të dëmshme madje edhe të konsideruara toksike u dha nga Basel Action Network, ,Rrjeti i ndërveprimit të Baselit, një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kësaj autoritetet e Tajlandës kanë reaguar duke refuzuar ankorimin e anijes me kontejnerët e nisur nga Shqipëria duke i kthyer mbrapsht
Situata është pasuar me debate të forta në shqipëri. opozita akuzon se për lëvizjen e mbetjeve toksike kanë pasur dijeni drejtuesit më të lartë të qeverisë dhe të portit.
Në të kundër me këtë zyrtarisht është thënë se procedurat janë kryer në rregull dhe nga analizat në nisje të transportit nuk ka pasur mbetje të rrezikshme.
Tashmë do të jetë prokuroria që do të kryejë analizat për të sqaruar situatën dhe për të zbuluar se cila kompani ka prodhuar mbetjet.
