Balliu: Ja si po manipulohen organizatat ndërkombëtare për situatën në Shqipëri

Koordinatori Rajonal i Partisë Demokratike për Tiranën, Klevis Balliu, nga selia blu denoncoi një rast të paprecedentë të manipulimit të partnerëve ndërkombëtarë.

Balliu tha se Organizatat Ndërkombëtare po e vlerësojnë ecurinë e Shqipërisë mbi bazën e studimeve të bëra nga bashkëshortja e kryeministrit

DEKLARATA E BALLIUT

Balliu tha se Organizatat Ndërkombëtare po e vlerësojnë ecurinë e Shqipërisë mbi bazën e studimeve të bëra nga bashkëshortja e kryeministrit.

Po, po, reformat e qeverisë të Edi Ramës për çështjet sociale, për turizmin dhe për gjithçka tjetër sot po studiohen nga Linda Rama.

Studimi i Lindës i quan të jashtëzakonshme këto reforma, e më pas organizata prestigjioze si: BERZH ( Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) si dhe PNUD marrin si bazë të raporteve mbi ecurinë ekonomike, shoqërore dhe politike të Shqipërisë, studimet e bashkëshortes të kryeministrit që është ‘arkitekti’ i të gjitha reformave.

Nuk ka rast më të kristaltë se ky që ilustron konfliktin e interesit.

Dëmi për vendin dhe qytetarët është jashtëzakonisht i madh, sepse reformat i paraqet burri dhe i vlerëson gruaja.

Shihni se si Edi Rama pasi ka kapur të gjitha pushtetet nuk ndalet as para tentativës për të pasur në xhep edhe organizatat e huaja, trupat vlerësuese.

Ky nuk është një konflikt interesi i Kryeministrit Rama dhe së shoqes, por edhe institucioneve të huaja që mbyllin të dy sytë para këtij standardi.

Kur dëgjoni raporte të huaja për suksesin e ekonomisë, turizmit dhe reformave të qeverise kini parasysh se firmën mbi këto trillime e hedh Linda Rama.

Tani mund të kuptohet pse raportet e këtyre organizatave kanë qenë kaq te papërputhshme me realitetet që ju shihni përditë.

Ky konflikt i pastër interesi është kthyer në një korridor dezinformimi për realitetin në Shqipëri.

Partia Demokratike u bën thirrje këtyre organizatave, duke shpresuar që ky konflikt interesi të ketë ndodhur pa dijeninë e tyre, që të distancohen nga studimet e Linda Ramës, që kërkojnë të zbukurojnë reformat kriminale dhe shpopulluese të Edi Ramës.