Lamine Yamal: Po dëshmojmë se jemi ekipi më i mirë në botë
Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, ka lavdëruar ekipin e tij pas fitores së thellë dhe bindëse ndaj Bayern Munich të mërkurën mbrëma në Ligën e Kampionëve.
Barcelona ka mposhtur Bayernin me rezultatin 4-1 në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve 2024-2025.
Ekipi i trajnerit Hansi Flick dhuroi një paraqitje mahnitëse dhe fitoi falë tri golave të Raphinha dhe një tjetër të Robert Lewandowskit.
Kjo fitore ka bërë që ylli i ri i Barçës, Yamal, të ndihet krenar me ekipin e tij, të cilin e ka cilësuar si më të mirin në botë.
“Para kësaj ndeshjeje ne tashmë po ndiheshim shumë të sigurt”, ka thënë fillimisht Yamal për “CBS Sports”.
“Besojmë se jemi skuadra më e mirë në botë dhe mendoj se po e dëshmojmë. Ne do të shkojmë me të gjitha forcat tona dhe le të fitojë skuadra më e mirë në El Clasico”, përfundoi 17-vjeçari.
Katalanasit do të përballen me Real Madridin në “Santiago Bernabeu” të shtunën, më 26 tetor, ora 21:00.

