Manjani: Deklarimi i pagave joreale ndikon në nivelin e pensioneve, 470 milionë euro hendeku në skemë

Kryeministri Edi Rama, ministri i Financave Petrit Malaj, ai i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, si edhe drejtuesi i ISSH-së dhe zv/ministrja e Ekonomisë Olta Manjani zhvilluan takim me një grup pensionistësh për të shpjeguar gjithë fokusin e qeverisë në drejtim të rritjes së pensioneve, si një detyrim dhe sfidë e përbashkët drejt Shqipërisë 2030.

Zv.ministrja Olta Manjani u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për pensionistët, por edhe për gjithë shoqërinë.

“Është e rëndësishme t’ju informojmë se çfarë është skema e sigurimeve shoqërore dhe pse një pensionist merr 150 mijë lekë dhe dikush tjetër 500 mijë lekë. Faktori kryesor i skemës së pensioneve janë kontributet. Pra, ne marrim mbrapsht atë që kemi kontribuar gjatë viteve të punës. Vitet minimale janë 15 vite, ndërkohë për të plotësuar një pension të plotë duhen 38 vite. 80% e pensioneve çdo vit janë pensione të pjesshme dhe kjo është një tendencë më e theksuar me kalimin e viteve. Pensionistët e rinj kanë gjashtë vite pune më pak se para 10 viteve dhe kjo ka ndikuar në nivelin e pensioneve”, tha ajo.

Një tjetër detaj që ndikon në gjithë skemën e pensioneve është masa e kontributeve të ndryshme ndër vite. Ose nga një pagë minimale, ose në pagën maksimale që është e përcaktuar me ligj.

“Pra, nëse një invidid ka punuar 15 vite dhe kontributet i ka në pagë minimale dhe një tjetër që ka punuar 38 vite, por kontributet i ka për pagë maksimale, i pari përfiton pension minimal dhe tjetri disafish më të lartë. Konstatim i dhimbshëm është fakti se shpesh bëhen pagesa të kontributeve bazuar në paga jo reale. Vijnë ankesa sepse kërkohet rillogaritje e pensioneve, ndërkohë që shpesh ka një marrëveshje të heshtur mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, për kontribute që janë bërë për pagë minimale ose më të ulët se sa ajo realja”, shtoi Manjani.

“Ne kemi sot 1.19 kontribues për një pensionist, një tendencë që është përmirësuar dhe ne përpiqemi që të kemi sa më shumë kontribues për një pensionist. Reforma ka prodhuar efektet e veta. Kemi një skemë deficitare, sepse të ardhurat që hyjnë në formën e kontributeve paguhen si shpenzime për pagesat e pensioneve. Të ardhurat nga kontributet janë 1.38 miliardë euro, ndërsa shpenzimet 1.85 miliardë euro dhe hendeku plotësohet nga buxheti i shtetit” theksoi zv/ministrja.

Fokusi i qeverisë mbetet fakti që asnjë person në Republikën e Shqipërisë që ka mbushur moshën 70 vjeç të mos mbetet pa marrë diçka financiare nga shteti, ajo që zv/ministrja Manjani e konsideron “mbulim universal”.

“Për të gjithë moshën e tretë, pra fakti që asnjë i moshuar nuk rri pa marrë diçka nga shteti shqiptar është një formë mbulimi universal. Pensioni social mbetet një mbrojtje sociale, por ka edhe përfitime të tjera. Ne kemi ngritur një grup me ekspertë, vendas dhe më të mirët nga Banka Botërore dhe i kemi ndarë në dy grupe. Një fokus është te masat afatshkurtra që sigurojnë mjaftueshmërinë e pensioneve dhe nga ana tjetër masat afatgjata që do të sigurojnë një reformim tërësor të sistemit, më e rëndësishmja, qëndrueshmëria financiare”, përfundoi Manjani.