“Merrja 6 doza brenda ditës”- Nga varësia prej drogës në shërim, rrugëtimi i 20-vjeçarit: Vdekja e shokut nga mbidoza ishte pikë kthese
Lumi i kaloi kështu ditët – herë në lumturi të rreme, herë në pasiguri – deri më herët këtë vit, kur shoku i tij i ngushtë vdiq nga mbidoza e drogës.
“Kjo ishte pikë kthese për mua, një goditje e rëndë që më bëri të kuptoj se duhet të ndryshoj”, thotë ai.
Fillimisht, tregon se nisi ta zvogëlonte dozën e kokainës dhe të përpiqej ta mundte varësinë me marihuanë. Pastaj, vendosi t’u tregonte prindërve për problemin dhe të kërkonte ndihmë profesionale.
Pa dashur të flasë shumë për rehabilitimin, thotë se ai nuk ishte aspak i lehtë, zgjati mbi tre muaj, por se çdo fazë e tij “ishte e vlefshme për jetën”.
“Mosha e përdoruesve në rënie”

Në Spitalin Psikiatrik Amerikan Brain Rezonanca në Prishtinë, që u bë strehë e Lumit për disa javë, drejtor është psikiatri Bujar Berisha.
Ai tregon se shpenzimet për shërbime në këtë institucion, paguhen nga vetë pacientët ose familjarët e tyre.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Berisha thotë se numri i përdoruesve të drogës në Kosovë, sidomos tek adoleshentët, është rritur kohëve të fundit.
Edhe pse nuk ka statistika të sakta, ai beson se deri në 2 për qind e popullsisë mbi 1.5-milionëshe të vendit janë përdorues të drogave të ndryshme.
Për të, edhe më shqetësues është fakti se mosha e përdoruesve është në rënie.
Sipas tij, ata nxiten kryesisht nga kurioziteti dhe dëshira për të krijuar një identitet të rremë.
“Në këta 20 vjetët e fundit, edhe në aspektin hormonal, adoleshenca fillon më herët. Kështu që abuzimi me substanca narkotike, nëse ka nisur në moshën 14-vjeçare, tash nis në moshën 12 apo 11-vjeçare. Raste të rralla mund të ketë edhe nën këto mosha”, thotë Berisha.
Të dhëna të ngjashme ofron edhe Policia e Kosovës.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, ajo thotë se mosha e përdoruesve të identifikuar këtë vit dhe vitin e kaluar sillet nga 14 deri në 50 vjeç. Një rast, ndërkaq, ka qenë 13 vjeç.
Sipas policisë, numri i përdoruesve të evidentuar në vitin 2023 ka qenë 293, ndërsa nga fillimi i këtij viti deri në shtator janë regjistruar 171 raste./REL
