''Pasi i kapa skafandrën, më tregoi pistoletën'', Baçi tregon si ndodhi përplasja me efektivët e policisë tek Kuvendi

Deputeti i PD-së, Luan Baçi në një intervistë në Ora News u tregoi se si ndodhi përplasja me efektivët e policisë tek Kuvendi ditën e djeshme, ku sipas tij njëri prej tyre i ka treguar edhe armën.

Baçi: Situatë e paprecedentë dita e djeshme, por nuk ishte thjesht dita e djeshme.

Ne jemi në një situatë të paprecedentë prej 4 vitesh tashmë si opozitë.

Jemi në një situatë të paprecedentë për arsye të sulmeve të vazhdueshme që bën mazhoranca dhe kryeministri ndaj opozitës në tërësi dhe deputetëve të PD-së.

Parë në këtë këndvështrim edhe dita e djeshme nuk mund të ndahet nga gjithë historiku i sjelljes së kësaj mazhorance gjatë këtyre 4 viteve tashmë.

Ligjin dhe Kushtetutën e shkel mazhoranca.

Përjashton deputetët e opozitës pa pasur asnjë fakt dhe argument.

Mosbindja civile është në vazhdimësi për PD-në dhe popullin opozitar.

Habitshëm edhe drejtuesit e Gardës  janë shprehur se kush i futi këta brenda është shprehur drejtuesi i Gardës dhe madje kanë filluar të debatojnë me FNSH për arsye se FNSH nuk i njihin as Gardistët.

Kemi qenë tek dera e jashtme e parlamentit që të iknim nga territori i parlamentit se ishte pothuajse fundi i gjithë aksionit politik që ne kishim në atë moment.

Atu gjetëm të rreshtuar Gardën, dhe jashtë portës focat e FNSH-së, dhe nuk kishim nga të dilnim.

Nuk e hapën portën dhe ne u kthyem mbrapsht.

U kthyem mbrapsht për të ikur përsëri drejt sheshit të parlamentit, atje na iu vu një gardh tjetër me dy apo tre rreshta me foracat e FNSH me skafandra.

Dhe u kam thënë policëve hapni rrugën se do ikim.

Dhe në moment njëri nga ata punonjësit e policisë me skafandër që kishte ma vuri përpara fytyrës duke më shtyrë dhe duke mu hakërryer.

Dhe pasi i kapa skafandrën për ta hequr, atëherë ai zbuloi xhaketën, nxorri pistoletën, më tregoi qytën e pistoletës, e nxorri pistoletën gjysmë dhe me fytyrë mu hakërrye.