Spiropali me rektorët: “Muri berlinez” i urrejtjes në sallën e Kuvendit, i panevojshëm dhe i papranueshëm
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cilësoi si të panevojshëm dhe të papranueshëm dhunën e treguar në sallën e Kuvendit nga deputetët e opozitës.
Në një takim me rektorët e universiteteve publike dhe jo- publike të vendit në Kryesinë e Kuvendit, Spiropali foli edhe për situatën e djeshme në seancën plenare.
“Vijojë sot në këtë takim pas një të ënjtjeje të trazuar në seancën plenare. Padyshim seria e radhës e një filmi të parë shumë herë, që pavarësisht shkaqeve dhe fajtorëve sfidon solemnitetin e pushtetit legjislativ, dëmton funksionalitetin e tij dhe jep një shembull të keq në raportin mes nevojës dhe reagimit, pritshmërive dhe realitetit”.
“Ai mur berlinez urrejtje që ngrihet aq artificialisht në atë sallë, ai demonstrim i panevojshëm i shndërrimit të kundërshtarit në armik, janë në gjykimin tim e besoj dhe në atë të shumicës së qytetarëve, krejt të panevojshme dhe të papranueshëm”, u shpreh Spiropali.
“Duke thënë këtë nuk dua kurrsesi as të mbaj qëndrim politik, as të jem palë me ndonjë nga palët në këtë konflikt të padurueshëm në kohëzgjatje, të pamoralshëm në motive dhe të dëmshëm për të gjithë në rezultat”.
E përmenda të djeshmen, duke qenë e bindur se vetëm drita e arsimit dhe edukimit mund të lënë në hijë këtë të kaluar dhe të tashme plot dritë-hije e tension.
Në kuvend tashëm ka hyrë brezi i katërt i politikanëve të postpluralizmit dhe më ngjan se i pesti, ai brez që ndodhet sot në auditorët dhe në Universitetet tona, do t’i shohë ata si model, si një model që duhet qortuar padyshim, por nga të cilët edhe mund të mësohet”.
“Qoftë edhe për këtë, arsye të emergjencës politike që ka shoqëria jonë, në kushtet e depolitizimit të plotë të universiteteve, vetë universitetet mund të jenë banka e edukimit ndryshe të qytetarit shqiptar, më tolerant e më të përgjegjshëm, ushtrues të pasionit e jo të pasionit për ndeshje, të qytetarit të nesërm që pavarësisht bindjeve politike apo dhe refuzimit total të tyre, të jetë pjesë e një brezi me ndërgjegje shoqërore që vë individin në qendër të shoqërisë dhe vetë shoqërinë kur e lyp nevoja në shërbim të individit”, tha Spiropali.
