Përplasja e deputetëve të opozitës me policinë, Hoxha: Efektivët nuk ishin të armatosur
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se efektivë të policisë ishin të armatosur gjatë përplasjeve me deputetët, një ditë më parë, para ambienteve të Kuvendit.
Në një deklaratë për mediat, Hoxha tha se forcat e policisë nuk kanë patur dhe nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri.
“Keqardhje për deputetët e opozitës, që ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe gardës, që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet nga ana e punonjësve të policisë. Ndërsa e drejta e dhunës, djegies, shkatërrimit, dhunës, nuk do të tolerohet.
Në deklaratën e policisë së Shtetit të dhënë dje rreth mesditës është shprehur qartë se nuk ka patur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga Punonjësit e policisë. Në ligjin për tubimet janë caktuar shprehimisht rastet e përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e policisë së Tiranës nuk kanë patur dhe nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri.”- u shpreh Hoxha,
Ministri dënoi sipas tij sulmin e deputetëve të opozitës ndaj forcave të policisë dhe Gardës.
“Sulmi i deputetëve ndaj policisë dhe Gardës së Republikës, në prag të marrjes së ditës së negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë ne BE, nuk është i pranueshëm sepse forcat e Policisë dhe Garda e Republikës është aty për të mbrojtur institucionet kushtetuese. Forcat e Policisë së Shtetit që ishin të planizuara nga DVP Tiranë për mbrojtjen e institucioneve ishin atje për të kryer detyrën”- u shpreh Hoxha.
Një ditë më parë, deputetët të opozitës, duke vijuar mosbindjen civile, u përplasën me Gardën e më pas me Forcat e Sigurisë Kombëtare në ambientet e jashtme të Kuvendit. Kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi tha se efektivë të policisë iu nxorën armën deputetëve të opozitës, por policia në një reagim zyrtar mohoi deklaratën e deputetit të PD.

