"PISTOLETË DEPUTETËVE"/ Kush i shkeli ligjet dje? Softa: Policia s'duhej të ishte brenda territorit, Kuvendi ruhet nga Garda! Nuk kishte situatë të rrezikshme
Konflikti politik mes mazhorancës dhe opozitës ka degraduar ditën e djeshme ku përplasja tek parlamenti mes deputetëve dhe forcave të sigurisë është bërë më e dhunshme.
Demokratët pretendojnë se situata ka kaluar çdo limit pasi një efektiv policie guxoi t’i kërcënojë dy deputetët Luan Baçin dhe Bledion Nallbatin me nxjerrjen e armëve të zjarrit.
Por kush ka të drejtë mes palëve?
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, në një intervistë për “Ora News” u shpreh se për sa kohë situata ishte në menaxhim të plotë nga Garda e Republikës, policia e shtetit nuk duhej të ishte fare në territorin e Kuvendit.
“Ligji i ri i Gardës i jep kompetenca të plota për ruajtjen e institucioneve, por edhe të personave me rëndësi të veçantë, dhe për sa kohë nuk kishte ndonjë kërcënim real nga deputetët brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit Policia e Shtetit nuk duhej të ishte aty.
Dje pati dhe një situatë disi të veçantë, pasi protestuesit që ishin mbledhur tek Bashkia e Tiranës, u mblodhën me shpejtësi tek hyrja në oborrin e Kuvendit, por nuk pati as thyrje të gardhit dhe as futje të civilëve në Kuvend, kështu që dhuna e Policisë ishte e panevojshme dhe e paligjshme.
Por gjithsesi, janë kamerat që do ta bëjnë zbardhjen e dinamikës së plotë të të gjithë ngjarjes.
Po ashtu edhe po të marrim të mirëqenë faktin, efektivët e Gardës nuk mund të prekin deputetët, pasi ata janë persona që kanë imunitet dhe nuk ka një ligj që t’i ndalosh ata.
Protesta në parlamente ka kudo në botë, për sa kohë ka gjithmonë protesta dhe më të dhunshme se sa këto që bëjnë deputetët shqiptarë”, u shpreh ndër të tjera eksperti i Sigurisë.
Fatjon Softa theksoi se tejkalimi i kompetencave si nga policia dhe nga deputetët duhet provuar përmes pamjeve filmike dhe dënuar me gjobë deri në burg kushdo që i shkeli ligjin.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN FATJON SOFTA


