Mjekë specialistë bullgarë, sërish ekzaminime falas në bashkinë e Pustecit

Fondacioni “Kujtesa Bullgare” për të dytin vit radhazi do të organizojë dhe do të financojë vizita mjekësore falas në bashkinë e Pustecit.

Nisma që është në kuadër të “Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë”  u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës Shëndetësore të Pustecit, si dhe Ministrisë së Jashtme bullgare, të përfaqësuar nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë.

Qëllimi i iniciativës është përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve të bashkisë, duke ofruar shërbime të specializuara mjekësore.

Edhe sivjet nisma do të realizohet së bashku me ekipin mjekësor të Qendrës Kardiovaskulare në “Acibadem City Clinic Tokuda” – një prej spitaleve më moderne për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare në Bullgari. Në krye të ekipit është kardiologu me famë botërore Prof. Ivo Petrov, i cili është Konsulenti kombëtar i kardiologjisë i Bullgarisë. Atij do t’i bashkohen specialistë-internistë, otolaringologë  dhe oftalmologë nga spitali universitar “Shën Ivan Rilski” në Sofje, si dhe doktori Aldin Ali – një specialist i kardiologjisë dhe mjekësisë interne, pronari i Qendrës Mjekësore “Heidelberg”.

Vizitat do të kryhen në Qendrën Shëndetësore të fshatit Pustec nga data 18 tetor deri më 20 tetor 2024 me orarin:

18.10.2024 – 14:00-18:00

19.10. 2024- 10:00 – 18:00

20.10. 2024 – 10:00 – 13:00

Gjatë vizitave do të ndiqet edhe gjendja e pacientëve të ekzaminuar një vit më parë, kur u realizua nisma e parë e fondacionit “Kujtesa Bullgare” për vizita falas (në shtator 2023).

Ky është një tjetër investim i madh i këtij fondacioni dhe themeluesit të tij  Dr. Milen Vrabevski në këtë rajon, pasi në vitin 2023 dhe 2024 u siguruan pajisje mjekësore profesionale dhe materiale konsumi për Qendrën Shëndetësore, mobilje dhe pajisje kompjuterike për godinën e re të bashkisë së Pustecit, 24 stola për fshatrat e bashkisë, një godinë e lëvizshme e tipit të autoambulancës e pajisur me të gjitha mobiliet dhe pajisjet e domosdoshme për vizita mjekësore për nevojat e banorëve të fshatit Globoçeni.

Në korrik të vitit 2020, Fondacioni “Kujtesa Bullgare” dhe kryetari i tij Dr. Milen Vrabevski, i dhuruan bashkisë së Pustecit një automjet zjarrfikës, një autoambulancë dhe një fuoristradë për shërbime sociale.