E Ngarkuara me punë e SHBA-së, VanHorn takohet me Dumanin, vlerëson arritjet e SPAK-ut

E Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn ka zhvilluar sot një vizitë në Prokurorinë e Posaçme, ku është takuar me Kryeprokurorin e SPAK-ut, Altin Dumani.

Përmes një postimi në “X”, ambasada amerikane në Tiranë ka zbardhur bisedimet mes tyre.

VanHorn vlerësoi arritjet e SPAK-ut në ndjekjen e suksesshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta.

Po ashtu, mësohet se Dumani dhe VanHorn diskutuan se si SPAK dhe NBI nuk mund ta bëjnë këtë punë vetëm dhe duhet të mbështeten në institucione si policia, gjykatat, prokuroritë, zyrat e vettingut, inspektoriatet dhe këshillat për të bërë pjesën e tyre me pavarësi, përkushtim dhe integritet.

“Kjo është thelbësore për mbrojtjen e arritjeve që Shqipëria ka bërë në sundimin e ligjit, një pjesë kyçe e procesit të anëtarësimit në BE”, thekson ambasada amerikane.

Postimi i plotë:

E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, u takua sërish me Kryeprokurorin e SPAK-ut, Altin Dumani, dhe vlerësoi arritjet e SPAK-ut në ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta.

Zj. VanHorn dhe Z. Dumani diskutuan se si SPAK dhe BKH nuk mund ta kryejnë këtë punë vetëm dhe duhet të mbështeten tek institucione si policia, gjykatat, zyrat e prokurorisë, zyrat e vetting-ut, inspektoratet dhe këshillat që bëjnë pjesën e tyre me pavarësi, përkushtim dhe integritet.

Kjo është thelbësore për të mbrojtur përparimin që Shqipëria ka bërë në sundimin e ligjit, një element kyç i procesit të integrimit në BE.