Ligji i ri për shkencën, Kovaçi: Nuk rrit mjaftueshëm financimin për kërkimet shkencore
Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u zhvillua një seancë dëgjimore me përfaqësues të Sindikatës së Arsimit të Lartë të Universiteteve për diskutimin e projektligjit “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
Profesor Sandër Kovaçi u shpreh se është pozitiv fakti që ky projektligj ka marrë vëmendje, pasi ligji i vitit 1994 ishte i vjetëruar dhe nuk mund t’i përgjigjet panoramës së tanishme të sistemit të Arsimit të Lartë.
Sindikata mbështet në tërësi gjetjet e konferencës së rektorëve pasi anëtarët e saj kanë kontribuuar në mënyrë direkte apo indirekte në këto gjetje. Prof. Kovaçi sugjeroi se ligji mund të quhej “Ligji për kërkimin shkencor dhe inovacionin/zhvillimin në Republikën e Shqipërisë”.
Fryma e projektligjit dhe objektivat nuk godasin drejt një qëllimi kryesor që do të çonte në një shumëfishim shumë të shpejtë në drejtim të financimit të kërkimit shkencor, që do të sillte në mënyrë të shpejtë një hop cilësor në veprimtarinë e kërkimit shkencor dhe inovacionit për ta përgatitur vendin për të hyrë në familjen evropiane. Profesori e vuri theksin tek përmirësimi i Arsimit të Lartë, i cili do të jetë baza e formimit të ekspertëve dhe shkencëtarëve të rinj.
Buxheti për shkencën prej 0,16% i GDP i parashikuar për në vitin 2030, sipas profesor Kovaçit, do të na linte 5-6 herë më poshtë vendeve të rajonit.
Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u kërkua theksimi i një objektivi të rëndësishëm siç është zhvillimi i komunitetit akademik kërkimor në Shqipëri, që llogaritet në 2,3 kërkues për 1000 banorë, që është më poshtë se 4 herë krahasuar me vendet e rajonit.
Profesor Lulzim Shuka tha se aktualisht në trevat shqipfolëse nuk ka asnjë organ të kërkimit shkencor të standardizuar dhe rankuar, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka më shumë se 7 dhe Mali i Zi më shumë se 4.
“Po edukojmë një brez të ri kërkuesish falsifikatorë”, tha prof. Shuka, duke kërkuar nga shteti vendosjen e standardeve.
Deputetja Lindita Nikolla iu drejtua profesorëve me fjalët: “Përgjegjësinë duhet ta filloni nga vetja, sepse autonomia pa përgjegjësinë institucionale, nuk funksionon.”
Sipas Nikollës, pretendimet e profesorëve janë arsye për të goditur autonominë institucionale.
