Frashëri: Implementimi i rrjetit 5G, me standarde dhe teknologji 100% perëndimore

Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Tomi Frashëri, tha sot se, “për implementimin e rrjetit 5G në Shqipëri ekziston Memorandumi i Mirëkuptimit midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe SHBA-së për përdorimin e teknologjive të besueshme dhe të pastra për të gjithë rrjetin”.

Gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, Frashëri theksoi se, implementimi i rrjetit 5G në vendin tonë parashikohet të nisë vitin që vjen.

Lidhur me këtë risi, Frashëri tha se “AKEP e ka integruar në politikat e saj, memorandumin e mirëkuptimit dhe paralelisht e kanë integruar edhe operatorët, të cilët vijojnë të jenë në partneritet bashkëpunimi edhe me vendet aleate”.

Sipas tij, pozicioni i shtetit shqiptar është i panegociueshëm në këtë fushë. “Teknologjitë për rrjetet 5G, por edhe për teknologji pak më të vjetra, duhet aplikuar vetëm teknologji e besueshme, duke pasur parasysh edhe rastet kur mund të zëvendësohet teknologjia e vjetër sipas standardeve të sigurta”, theksoi ai.

Sa i takon operatorëve të telefonisë celulare, Frashëri shpjegoi se, njëri nga dy operatorët ka bërë një investim shumë të madh para 3 vitesh, duke zëvendësuar 100% teknologjinë me teknologji perëndimore dhe ishte i pari operator celular në Ballkanin Perëndimor për këtë investim bashkëkohor që ndërmori.

Pra ky operator do t’i ofrojë abonentëve të tij jo vetëm shërbimet 5G në të ardhmen e afërt, por edhe për rrjetin 4G aktualisht 100% rrjet perëndimor.

Frashëri shpjegoi se edhe operatori tjetër është i gatshëm për rrjetin 5G me projektet dhe infrastrukturat e tyre tërësisht në përputhje me standardet perëndimore.

Ai vuri në dukje faktin është që ofruesit e teknologjive perëndimore të besueshme për standardet që Shqipëria ka sipas NATO-s, po afrohen drejt vendit tonë për implementimin e këtyre teknologjive të larta.

Frashëri deklaroi se të gjitha teknologjitë që do të përdoren për rrjetin 5G në vendin tonë do të jenë absolutisht me standarde 100% perëndimore.