''Shtëpi bari'' te ''Kadastra''/ Tre kultivuesit në qeli, organizatori i laboratorit ende në kërkim
Gjykata e Tiranës la në burg 3 nga 7 të arrestuarit nga Policia për laboratorin e kultivimit të bimëve narkotike ngritur në katin e dytë të një magazine ish-shtetërore në afërsi të Selitës.
Në qelitë e paraburgimit me masën arrest me burg mbeten Erlind Tresën, Asqeri Likajn dhe Elvis Lalën.
Të tre akuzohen për kultivim kanabisi të kryer në bashkëpunim.
Togat e zeza caktuan masën arrest shtepie për tre punonjësit e OSHEE, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali.
Me të njejtën masë do të hetohet edhe Reshit Tresa, i cili banonte ngjitur me godinën e shndërruar në laborator kanabisi.
Hetimet kanë treguar se nga banesa e 46 vjecarit, nëpërmjet një tuneli janë lidhur tubacionet e ujit që shërbenin për vaditjen e bimëve narkotike.
Veprimtaria kriminale besohet se kishte disa disa muaj më parë, ndërsa organizator i shndërrimit të magazinës shtetërore në shtëpi bari, për prodhimin e kanabisit me anë të ngrohjes me llampa është identifikuar 46-vjeçari Sajmir Karaj.
Ky i fundit deri më tani i ka shpëtuar arrestimit.
Laboratori u denoncua nga Ish-deputeti Halit Valteri, i cili kohët e fundit është emëruar në zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Ai kishte shkuar të inspektonte katin e parë të magazinës së Kadastrës dhe konstatoi në sende të dyshimta.
Gjatë operacionit të koduar ''Tuneli'', policia e Tiranës tha se gjeti 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, pajisje aspirimi etj.
