Mosbindja civile/ Kalaja: Gjykata shpalli të paligjshëm arrestimin e protestuesit të opozitës

Gjykata e Tiranës shpalli të paligjshëm arrestimin nga policia të protestuesit të 7 tetorit Klodian Bajrami, dhe vendosi lirimin e menjëhershëm nga qelia.

Avokatja Adriana Kalaja tha se togat e zeza nuk miratuan as kërkesën e prokurorisë për arrest shtëpie, duke vendosur ta lirojnë protestuesin e opozitës, pa asnjë masë sigurie.

Kalaja pretendoi se mbajtja e protestuesit në paraburgim, jo vetëm ishte e paligjshme, por as nuk u konsiderua gjendja e tij shëndetësore, teksa arrestimet avokatja i konsideroi si masa që pushteti i cakton për të intimiduar qytetarët që protestojnë.

Ndërkohë, më herët, Gjykata e Tiranës la në burg protestuesin Sokol Bushkolaj, të arrestuar pas protestës së 7 tetorit, me pretendimin se kishte thyer edhe masën e sigurisë arrest shtëpie, lidhur me një vendim të mëparshëm të gjykatës. Ditën e enjte u lanë në arrest shtëpie me kërkesë të prokurorisë dy protestuesit e tjerë Xhevahir Rrushi dhe Gentian Tuga.