Një ditë pas protestës së opozitës e ngarkuara me punë e SHBA-së, VanHorn takon ministrin e Brendshëm, Hoxha
E ngarkuara me punë e SHBA-së, Nancy VanHorn është takuar paraditen e sotme me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha.
Takimi mes të ngarkuarës me punë të SHBA-së dhe ministrit Hoxha vjen një ditë pas protestës së opozitës.
Opozita protestoi dje për 3 orë kundër qeverisë Rama.
Gjatë tubimit të 7 Tetorit, protestuesit hodhën flakadanë dhe molotovë në institucionet e qeverisë.
Protesta nisi fillimisht përpara Kryeministrisë, aty ku protestuesit hodhën molotov.
Më pas, turma e njerëzve e udhëhequr nga drejtuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën edhe drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës e Parlamentit, ku u hodh molotov.
Sulmit nuk i shpëtoi as selia e Partisë Socialiste.
Nga ana tjetër, policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Protesta që nisi në orën 18:30 dhe përfundoi në 21:30, kishte si kryefjalë krijimin e një qeverie teknike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
