Nis depistimi okulistik në shkolla/ Ndikimi i teknologjisë dhe ekraneve te fëmijët, shtojnë problemet

Në një përpjekje për të adresuar rritjen e problemeve të shikimit te fëmijët, shkollat kanë filluar një program të ri për depistimin okulistik të nxënësve.

Kjo iniciativë ka sjellë në pah një numër të konsiderueshëm rastesh që kërkojnë ndjekje më të vazhdueshme.

‘’Reflektohet shumë sepse jo vetëm në klasat e para që është detyrim që ne i gjejmë rastet e reja përkundrejt depistimit, por edhe në klasat më të larta kur është fillimi i adoleshencës ne gjejmë fëmij më vështirësi të shikimit’’.

Doktoresh Alketa Tandili thotë se programi i depistimit okulistik në shkolla ka filluar të zbatohet me qëllim identifikimin e problemeve të shikimit me qëllim trajtimin e hershëm.

‘’Ndërhyrja në kohë me një vizitë okulistike dhe me trajtimin e duhur bën që fëmijët të fitojnë shikimin e plotë 100% gjë e cila më vonë është e pamundur të kryehet’’.

Doktoresha thotë se një faktor i rëndësishëm që ndikon në dëmtimin e shëndetit të syve të fëmijëve është përdorimi i teknologjisë.

Ndaj për këtë qëllim doktoresha rekomandon prindërit që të vendosin limite për kohën që fëmijët kalojnë para ekranit dhe ti angazhojnë me aktivitete .