Në kërkim për lëndë narkotike, 33-vjeçari arrestohet sa tenton të hyjë në Shqipëri

Një 33-vjeçar, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Pukë për kultivim të bimëve narkotike, është kapur teksa tentonte të hynte në Shqipëri.

33-vjeçari dyshohet se është autor i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Dedaj, në njësinë administrative Qelëz.

I riu u kap në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Morinë.

“Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga shërbimet e Komisariatit të  Policisë Pukë, për një shtetas të shpallur në kërkim i cili do të hynte në Shqipëri nga  PPK  Qafë Morinë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Policinë Kufitare, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi 33 vjeç, banues në Pukë.”- njofton policia.

Materialet shtesë në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.