Përgatitjet për 7 tetorin/ Bardhi e Noka mbledhin demokratët në seli, çfarë do të ndodhë të hënën

Prej dy orësh, në selinë e Partisë Demokratike u zhvillua pasditen e së premtes një takim për të përgatitur protestën e planifikuar për të hënën, më 7 tetor.

Sipas gazetarit të Ora News Isa Myzyraj këtë mbledhje morën pjesë figura të rëndësishme të PD, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka, Kryetarin e Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, si dhe drejtuesit politikë dhe kryetarët e degëve të partisë.

Burime të brendshme tregojnë se diskutimet përqendroheshin në strategjinë dhe organizimin e protestës, si dhe angazhimin e degëve për një pjesëmarrje masive.

Kryetarët e degëve raportuan se anëtarët kërkojnë që protestën ta shoqërojë një format pa fjalime, duke e shndërruar atë në një fillim të mosbindjes civile.

Flamur Noka, gjatë mbledhjes, theksoi se protesta e hënës është një përgjigje ndaj veprimeve të qeverisë Rama gjatë 12 viteve të fundit.

Ai përmendi shkeljen e zgjedhjeve të lira, burgosjen politike të Sali Berishës, si dhe kërkesën për një Qeveri Teknike si disa nga motivet që duhet të mobilizojnë qytetarët për të protestuar.

“Asgjësimi i zgjedhjeve të lira, burgosja politike e liderit të opozitës Sali Berisha, kërkesa për Qeveri Teknike, varfëria dhe papunësia, janë motive të mjaftueshme që qytetarët të derdhen lumë atë ditë në protestë” - mësohet të jetë shprehur Flamur Noka.

Kryetarët e degëve kanë raportuar se strukturat e partisë kanë kërkuar që në protestë të mos ketë fjalime, por ajo të jetë e organizuar si fillesa e mosbindjes civile.

Protesta do të nisë në orën 18:00 nga Kryeministria dhe do të shtrihet në të gjithë Tiranën.