Peleshi publikon foto me pensionistin që ka ndërruar jetë dhe premton t’i rrisë pensionin

Urdhri i Ramës për të qenë më aktivë në rrjetet sociale dhe për të propaganduar punët e qeverisë i ka shtyrë socialistët të bëjnë edhe gabime trashanike në postimet e tyre.

Pas patronazhisteve të reja që nuk lanë fjalë të mirë pa thënë për kryeministrin Rama, tashmë është radha e Niko Peleshit që të bëhet “meme” në rrjetet sociale.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ka publikuar një foto 2 ditë më parë me një pensionist në Ditën Botërore të të Moshuarve, teksa shkruante se qeveria do të vijojë mbështetjen e tyre duke rritur bonusin e fundvitit por edhe pensionet.

Por, për të hedhur poshtë propagandën boshe të Peleshit ka menduar korçari i famshëm i rrjeteve sociale, Ilir Vrenozi, i cili shkruan se pensionisti me të cilin Peleshi ka publikuar foton fatkeqësisht ka ndërruar jetë.

Kjo do të thotë se fotoja e publikuar nga Niko Peleshi ka qenë e disa kohëve më parë, por ish-ministri thjesht ka vendosur ta publikojë dhe të flasë rritje pensionesh për shtresën që në Shqipëri nuk është e varfër, por thuajse jeton në skamje, me pensionet që nuk dalin as për ilaçe.