Bardhi pyet publikisht Spiropalin: Çfarë dhuratë të bëri Pëllumb Gjoka për detyrën e re?
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka bërë një reagim në platformën X, duke i bërë një pyetje publike, kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
“Pyetje publike për Kryetaren e Kuvendit: Përveç “dhuratës” së administratës a mund të informosh shqiptarët: Pëllumb Gjoka çfarë dhurate të ka bërë për detyrën e re?”, shkruan Gazment Bardhi.
Kujtojmë që deputetët e opozitës nuk janë lejuar që sot të futën në Parlament, për shkak se ata u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës për shkak të kaosit dhe tensioneve që shkaktuan në seancën e të hënës, ku edhe dogjën karriget.
Gjithashtu, po në seancën e të hënës, deputeti Gazment Bardhi qëlloi me këmbën e karriges në drejtim të kryetares së Kuvendit, e cila tha sot se “ia kishin bërë dhuratë të vendosur në një kornizë”.
“Dje vonë në mbrëmje një grup nga stafi mbështetës i Kuvendit më bëri dhuratën më interesante dhe më të pakëndshme që kam marrë ndonjëherë.
Një copë druri brenda një kornize xhami. Copa e drurit, këmba e karriges, që një eksponentë i opozitës e hodhi drejt meje për të më goditur. E di që më ruajti fati dhe paaftësia e goditësit për të më qëlluar në shenjë.
Si njeri e kam falur, si politikane nuk mund të mos them dy fjalë: Pse kjo egërsi?
Pse edhe në vendin ku duhet të mbretërojë dialogu dhe arsyeja dhe jo instikti primitiv thirret në ndihmë dhuna e verbër?
Nuk kemi as mundësi as kohë të shtjellojmë arsyet. Po ju them vetëm rolin balancues të pushtetit gjyqësor.
Ka ndodhur këtu ku prokuroret e përgjithshëm të këtij vendi shiheshin si vartës, trajtoheshin si kundërshtarë dhe luftoheshin si armiq”, tha kryetarja e Kuvendit.

