“AKT LUFTE NDAJ OPOZITËS”/ Berisha: E djeshmja natë e errët për vendin, pas burgosjes së Salianjit fshihen vëllezërit Xhafaj

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi këtë të shtunë se burgosja e deputetit demokrat Ervin Salianji ishte një natë e zezë për shqiptarët e ndershëm, ndërsa shtoi se të vetmit që festuan ishte vëllazëria Xhafaj dhe mafia e drogës Rama-Xhafaj.

DEKLARATAT E BERISHËS

Nuk janë shumë të thjeshta lidhjet. Së dyti falenderoj gazetarët për praninë e tyre dhe përshëndes qytetaret dhe qytetarët që ndjekin këtë deklaratë të PD.

Mbrëmë, nënkryetari i grupit parlametar të PD, një deputet i ri, guximtar, i cili nuk ka patur ndonjëherë poste të rëndësishme zyrtare, përveç detyrës, misionit fisnik të besuar nga qytetarët dhe PD, si deputet i zgjedhur i tyre dhe nënkryetar grupi, u burgos me urdhër të Edi Ramës në një hark kohor maksimalisht të shkurtër nga dhënia e verdiktit antikushtetues, antiligjor, të gjykatës së kontrolluar fund e krye nga Edi Rama.

Kjo natë të cilën Ervin Salianji e kaloi në qelitë e burgut vetëm e vetëm se guxoi tu thotë shqiptarëve të vërtetën e vëllazërisë famëzezë Xhafa, të lidhur kokë e xhep me Edi Ramën.

Është një natë e zezë për të gjithë shqiptarët të cilët besojnë tek e vërteta, të cilët jetojnë, rrisin fëmijët e tyre, pavarësisht nga bindjet politike, me mundin, djersën dhe ndershmëri, të cilët konsiderojnë trafiqet e drogës dhe kriminale, konsiderojnë lidhjet e pushtetit me trafiqet dhe krimet, si një nga kërcënimet më serioze të tyre, fëmijëve të tyre dhe vendit të tyre.

Por kjo ishte një natë feste për vëllazërin Xhafaj, vëllazërin Bajraj, dhe të gjitha vëllazëritë e mafias dhe drogës në Shqipëri, sepse ato panë të gozhduar, panë në pranga, panë në qeli, deputetin e ri guximtar që u provoi shqiptarëve se Geron Xhafaj, jo vetëm ishte i dënuar në Itali, për trafik ndërkombëtar droge dhe ndiqej në Venezuelë, jo vetëm se fshihej në Vlorë ndaj kërimit ndërkombëtar, i mbrojtur nga vëllaçkoja i tij dhe kontrollonte lojërat e fatit.

Sepse këto diheshin. Por Ervin Salianji u faktoi shqiptarëve nëpërmjet publikimit të regjistrimit të një gazetari të guximshëm se vëllazëria Xhafaj me Geronin vazhdoni trafiqet nga porti i Vlorës dhe se pushteti i drogës dhe krimit të Edi Ramës, pasi zëvendësoi Saimir Tahirin dhe Habilajt e tij, u dha ‘karta bianka’ vëllazërisë Xhafaj, e cila përveç trafiqeve dominonte me Olsin, lojërat e fatit.

Po kjo ishte një festë për mafian e drogës shqiptare, kudo që ndodhet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Dubai, Meksinë dhe Bruksel e kudo.

Demokrate e demokratë! Qytetarë dhe qytetare. Burgosja e Ervin Salianjit ishte një akt lufte ndaj nesh, por nuk ishte akti i parë i luftës.

Edi Rama këtë luftë e shpalli me kohë, që kur rrëmbeu flamurin e PD-së, vendosi në ‘arrest shtëpie’, pa asnjë fakt, bazë, dokument, kryetarin e kësaj partie.

Arrestoi kandidatin fitues të Bashkisë së Himarës dhe i rrëmbeu mandatin, përfaqësuesin e opozitës.

Vuri në ndjekje penale drejtues të tjerë, apo persekutim publik, Ilir Metën, Fatmir Mediun. Pra ky është akti i fundit me të cilin Edi Rama, i shpall luftë opozitës.

Unë jam sot këtu para jush për të deklaruar se PD, do ti përgjigjet këtij akti lufte me qëndresën më të fuqishme qytetare, me mosbindjen më të fuqishme civile, se kjo parti as nuk kalon në klandestinitet as nuk shmang proceset zgjedhore.

Por kjo parti do të përdorë të gjithë guximin, vendosmërinë, trimërinë, e mijëra e mijëra anëtarëve dhe mbështetësve të saj, në mënyrë që ti japë përgjigjen më të merituar mafias Rama-Xhafaj, në mënyrë që të realizojë atë që në pamje të parë duket mision i pamundshëm.

Por si parti e misioneve të mëdha e të pamundshme, për demokratët sot nuk ka asgjë të pamundshme. Do të realizojë përmbysjen e kësaj ngrehine droge dhe krimi të vëllazërive mafioze, Rama, Xhafaj etj., dhe do të çelë për shqiptarët rrugën e zgjedhjeve të lira në një qeveri teknike. Do të rikthejë Shqipërinë në procest e zhvillimit dhe integrimit të saj.

O sot, o kurrë, demokrate e demokratë jeni të ftuar ti përkushtoheni me çdo gjë kësaj beteje vendimtare për fatin e PD-së. Vendimtare për fatin e opozitës dhe pluralizmit.

Vendimtare për fitoren mbi krimin, mafian dhe drogën, vendimtare për fatin e Shqipërisë. Së pari do të jetë padiskutim protestë kombëtare. Kjo jashtë çdo dyshimi. Së dyti, do të jetë aksion kombëtar. Po përcaktohen të gjitha masat të cilat synojnë ti përgjigjen në shkallë kombëtare aktit brutal të mafias Rama-Xhafa dhe fillimit të betejës tonë, e cila ishte 100% e programuar dhe planifikuar për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira...