Ndoka: Në këto orë drejtësia po i bën shërbimin më të keq vendit. Sot arriti kulmin ku një deputet burgoset për shkak të detyrës
Kreu i demokristianëve Nard Ndoka në studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh zhgënjyer nga vota që ai ka dhënë për reformën në drejtësi, pasi sipas tij kjo drejtësi me vendimin ndaj deputetit të PD-së, Ervin Salianji tregoi se jo vetëm që nuk kemi një drejtësi të re por një drejtësi që ka bërë mbrapa me 30 vite më parë.
“Për fat të keq sistemi i drejtësisë po i bën shërbimin më të keq vendit dhe qytetarëve në këto orë apo muaj të fundit.
Unë jam një prej deputetëve që e kam votuar reformën në drejtësi dhe nuk do të doja kurrë që të pendohesha për atë votë. Dhe për fat të keq jo vetëm që sistemi i drejtësisë nuk është i ri, por është kthyer shumë vite pas. Është totalisht i kapur nga kryeministri Rama, dhe ky është lajmi më i keq.
Është e trishtueshme kur mendon se këto 30 vite nuk ka ndodhur asnjëherë ta shikojmë në këtë derexhe ku është sot.
Kemi parë dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese edhe kundër mazhorancës, në kohën kur kishte një lloj integriteti dhe pavarësie në sistemin e mëparshëm apo një Gjykatë të Lartë që ishte model sa i përket vendimeve dhe trajtimit të cëcshtjeve.
Çfarë kemi sot?
Sot kemi një Gjykatë Kushtetuese ku mazhoranca në qeveria nuk ia përfill vendimet e saj.
Sot kemi liderin e opozitës në arrest me një proces të montuara keq dhe pa asnjë provë.
Dhe sot kemi arritur kulmin ku një deputet i opozitës burgoset për shkak të detyrës. Dhe kemi një kryeministër i cili jo vetëm që nuk ka asnjë shenjë reflektimi, por përkundrazi kërcënon edhe deputetët e tjerë të opozitës së do të kenë fatin e Salianjit. Dhe me vendimin fundit nuk ka më dilema për këtë”, u shpreh Nard Ndoka.


