PD në diskutime me PL-në për listat, Koreshi: Proces normal, por duhet të shikojmë çfarë kërkohet konkretisht
Deputeti demokrat Saimir Koreshi ka komentuar diskutimet e nisura mes aleatëve të opozitës, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për përfaqësimin në listat zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një intervistë për “Ora News”, Koreshi u shpreh se kjo është normale, dhe mbetet për të parë se si do të funksionojë ky bashkëpunim.
“Mbetet për t’u parë se cilat janë kërkesat konkrete të PL-së. Nuk duhet harruar që është një parti politike që ka mbi 100 mijë vota. Por mendoj se duhen parë edhe kërkesat e partive të tjera që duan të jenë pjesë e koalicionit opozitar.
Duhet parë edhe mënyra se a do të kemi lista të hapura apo të mbyllura. Dhe mund të kërkohet që të ketë një parti 20 deputetë në listë të mbyllur dhe kjo normalisht që duhet bazuar mbi numra.
Pra, besoj se do të shikohet bashkëpunimi në çdo qark, pasi PL-ja mund të ketë më shumë vota në një qark dhe në një tjetër jo.
Pra, duhet të presim njëherë se çfarë kërkon konkretisht PL-ja. Pra, në këtë moment nuk ka një diskutim të tillë në Kryesinë e Partisë Demokratike", u shpreh Koreshi.
INTERVISTA E PLOTE ME DEPUTETIN DEMOKRAT


