Sindroma e Ovarit Policistik, Guni: Prek 5 deri 10% të grave, nis muaji i ndërgjegjësimit

Shtatori është muaji i ndërgjegjësimit ndaj sindromës së ovarit policistik.

Dr.Mirjeta Guni, mjeke endokrinologe pranë Spitalit Amerikan 3, thotë se kjo patologji prek rreth 5-10 % të femrave, fillon në moshën e adoleshencës ose rreth të 20-ave, dhe karakterizohet nga disa çrregullime hormonale ku mbizotëron mbiprodhim i hormonit mashkullor, testosteronit.

''Klinikisht manifestohet me shenja dhe simptoma të tilla si shfaqja e akneve, e qimeve në zonat që nuk janë të zakonta për gratë, si në fytyrë, rreth gjoksit, në linjën e kërthizës.

Shpesh hasim çrregullim të ciklit menstrual, me tendencën për të ardhur  më vonë, ose për të munguar disa muaj rresht si dhe vështirësi për të mbetur shtatzanë apo deri në infertilitet”.

Shtimi në peshë është një tjetër tregues që indikon jo vetëm patologjinë, por me kalimin e viteve shton edhe rrezikun për diabet.

“Pra janë femra që kanë qenë me një peshë normale dhe shtojnë pa shkak apo kanë qenë qysh në adoleshencë mbi peshë.

Pra këto janë më të prirura për të bërë sindromën e ovarit polikistik e cila me kalimin e viteve shton rriskun për të bërë edhe diabet te kjo kategori pacientesh.

Për sa i përket trajtimit konsiston kryesisht në rënien në peshë në femrat që kanë këtë sindromë me shtim në peshë, ndërsa në femrat që nuk janë mbi peshë trajtimi është i individualizuar dhe hartohet nga mjeku në varësi të situatës''.

Tashmë me zhvillimin e shkencës, mjekët e spitalit Amerikan 3 dhe me mjetet më të fundit gjithçka mund të kapet në kohë nëse zhvillohen konsultat me mjekun.