Protesta në Thumanë, deputetja Ulliri: Askush nuk na besoi për rrugën deri sa e vërteta doli në shesh

Siç ishte paralajmëruar edhe ditën e sotme, banorët e Thumanës kanë dalë sërish në protestë, ku kërkojnë hyrje-dalje në autostradën Thumanë-Kashar.

Ata protestuan në autostradë, ndërsa janë përplasur me forcat e policisë, pasi kanë tentuar të bllokojnë qarkullimin rrugor.

Ata kërkojnë hyrje-dalje në këtë aks, pasi janë izoluar dhe i druhen frikës se bizneset e tyre do të falimentojnë.

Protestës së sotme iu bashkua edhe deputetja demokrate Andia Ulliri, e cila u shpreh se askush nuk protestoi për këtë rrugë deri sa e vërteta doli në shesh.

“Askush nuk na besoi për rrugën derisa e vërteta doli në shesh.

Dhe ne sot protestojmë pasi janë shkeur të gjitha të drejtat e çdo banori sot në këtë zonë, por edhe të të gjithë atyre që e frekuentojnë rrugën deri nga këtu deri në Shkodër dhe kjo qeveri duhet të kuptojë se kjo histori nuk do të përfundojë këtu.

Dhe kjo do të përsëritet vetëm nëse ne nuk reagojmë dhe të garantojmë për banorët hyrje-daljet në rrugë”, theksoi deputetja Andia Ulliri.

Banorët kanë kallëzuar në SPAK, zv/kryeministren njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Kujtojmë se dhe ditën e hënë (2 shtator) banorët protestuan në mënyrë paqësore para Kuvendit, duke parashtruar kërkesën e tyre dhe duke kërkuar një zgjidhje.

Ashtu si në tre protestat e shkuara ka patur përplasje mes policisë dhe banorëve, pasi këta të fundit kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në autostradë.

Banorët e zonës përreth aksit të ri Thumanë-Kashar kanë ripërsëritur kërkesën e tyre për të pasur akses në autostradën e re.

Ata kërkojnë nga institucionet që të marrin masa dhe t’u krijohet aksesi, pasi autostrada e re ka kthyer në një aks të “vdekur” rrugën e vjetër dhe si pasojë po ju falimentojnë edhe bizneset Por deri më tani qytetarët nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.