Xhixho: Situata me plehrat në Tiranë është alarmante, rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve! “Eco Tirana” merr nga ne 60 mijë euro në ditë dhe kazanët janë plot
Shpesh herë në kryeqytet plehrat janë kthyer në një problem për qytetarët. Përpos erës së keqe që kundërmon shpesh në rrugët e kryeqytetit, tashmë nuk mungon as tymi dhe flakët në mes të Tiranës.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe mbrëmjen e së dielës ku kazanëve të plehrave në zonën e Alliasit, i është vënë flaka.
Pikërisht nisur nga këto raste Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” foli për situatë alarmante të plehrave në Tiranë.
Xhixho theksoi se shëndeti i qytetarëve të kryeqyteti gjendet në kërcënim serioz si pasojë e këtij keqmenaxhimi nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria.
Teksa u ndal edhe tek skandali i mbetjeve toksike në Portin e Durrësit, Xhixho u shpreh se Shqipëria nuk menaxhon dot mbetjet e saj, jo më edhe ato të vendeve të tjera që i sjell mafia në pushtet.
“Nga sesioni i ri politik nuk është se do presim ndonjë gjë të mirë nga kjo qeveri, sepse kjo qeveri nuk ka prioritet as shëndetin e fëmijëve dhe as arsimimin e tyre, por pa dyshim ka interesa të tjera.
Në fakt si me skandalin e mbetjeve toksike, si me ligjin që duan të sjellin në Parlament për importin e mbetjeve tregon në fakt prioritet e tyre.
Partia e Lirisë do të jetë tejet aktive me të gjitha këto zhvillime, do të jemi aktivë që me aktin normativ për ndryshimet në buxhet, ku si gjithmonë fondet shkojnë për një grusht klientësh.
Sigurisht që në fokus ka qenë dhe bashkia e Tiranës, ku situata me mbetjet është alarmante. Megjithëse temperaturat kanë qenë mbi 40 gradë, koshat kanë qenë tejet të mbushur duke krijuar sëmundje, por edhe duke vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve të Tiranës.
Ne alokojmë 20 milionë euro në vit për kompaninë “Eco Tirana” dhe 60 mijë euro në ditë dalin nga xhepat tanë për pastrimin e qytetit. Pa folur pastaj për incineratorin fantazëm që nuk ekziston që gjithsesi ne paguajmë 80 mijë euro për djegien e tyre, ndërkohë që situata me plehrat është alarmante.
Ndërkaq kemi një skandal që na vjen nga Kina, ku mbetje toksike në anije shqiptare ja ë kthyer mbrapsht dhe nuk kjemi asnjë informacion nga qeveria, por na vjen ky informacion nga Rrjeti i Bazelit, një organizatë shumë prestigjioze në OKB, duke vënë alarmin dhe duke kthyer vëmendjen se vendi ynë mund të jetë një vend që bën trafik ndërkombëtar me mbetje.
Dhe paralelisht me këtë në konsultim me këtë Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim ligjin për importin e mbetjeve.
Pra, ne nuk po administrojmë dot mbetjet tona, jo më të tjera. Por është e qartë se biznesi më fitimprurës për këtë qeveri janë plehrat”, theksoi ndër të tjera, Erisa Xhixho.
Ndërkaq deputetja e Partisë së Lirisë komentoi edhe situatën e rëndë të rasteve të shtuara të abuzimeve seksuale të pedofilëve në vend.
Ajo sërish apeloi për zbatimin e Regjistrit Kombëtar të të gjithë pedofilëve të dënuar me vendim gjykate, pasi problemi duhet të nisë të zgjidhet nga ky Regjistër.
INTERVISTA E PLOTË ME DEPUTETEN E PL-së ERISA XHIXHO



