Mbyllja e 5 komunave serbe, SHBA e shqetësuar: Veprimet e pakoordinuara vënë në rrezik kosovarët

Mbyllja e 5 komunave serbe në Veri të Kosovës, ka shkaktuar reagimin e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ambasada thekson se Qeveria amerikane ngre shqetësimin mbi përsëritjen e veprimeve të pakoordinuara nga Kosova

“Me urdhër të autoriteteve politike të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot, më 30 gusht, operacione kundër institucioneve të mbështetura nga Serbia në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se “përderisa Qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në komunikatë.

REAGIMI I AMBASADËS SË SHBA-së 

Mbyllja e 5 komunave serbe, SHBA e shqetësuar: Veprimet e pakoordinuara

OPERACIONI NE VERI

Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten pesë komuna paralele serbe në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – njoftoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.

Ai tha se komunat paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, tha Krasniqi.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka kërkuar “reagim urgjent” dhe “më të ashpër” nga bashkësia ndërkombëtare.

Vuçeviq tha se Serbia ka dërguar një mesazh të qartë se “avokon fuqishëm për paqen dhe stabilitetin” në rajon, por se “nuk do të lejojë dhunë dhe masakër kundër popullit të saj”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Serbisë.

Ministri Krasniqi tregoi se komunat e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se njësitet speciale kryen një aksion në katër komunat me shumicë serbe në veri. Aksioni u krye në dy lokacione në Mitrovicën e Veriut, si dhe në një lokacion në Zubin Potok dhe në një tjetër në Leposaviq.

Policia zhvilloi një aksion edhe në spital, në pjesën e lavanderisë, pas raporteve se mund të ketë armatim, sipas tij.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se mbyllja e institucioneve serbe në veri të Kosovës do të ketë “pasoja të gjera në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Albin Kurti ka filluar t’i mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se institucionet e mbyllura u kanë ofruar serbëve në Kosovë “një minimum shërbimesh publike dhe ekzistenciale si, beneficione sociale përmes pagave dhe pensioneve”.

Më herët, Policia e Kosovës tha se, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e zhvilloi një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte, të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”, tha Policia.

Po këtë vit, më herët, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Aksioni i së premtes në veri u ndërmor në një kohë kur Qeveria e Kosovës është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e saj “të njëanshme dhe pakoordinuara”, pasi muajin e kaluar mbylli disa degë të Postës së Serbisë në veri dhe tha se synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha një ditë më parë në Beograd se partnerët evropianë janë të shqetësuar me “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj atij të premten duke thënë se Qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës – pa dallime.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.

Serbët lokalë – megjithëse morën pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – ata e bojkotuan procesin më vonë, pas thirrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë. Po ashtu, mbështet punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore.