Mbyllja e 5 komunave në Veri, Abazi: Aksioni në kuadër të fushatës elektorale të Kurtit. Deklaratat e Macron, “thikë me dy tehe” për Kosovën
Pasditen e kësaj të premteje janë mbyllur objektet e institucioneve paralele lokale në veri të Kosovës.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas operacionit të Policisë së Kosovës, sqaroi se bëhet fjalë për mbylljen e disa institucioneve paralele që ishin me direktiva të Serbisë.
Por për deputetin e pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ky aksion i qeverisë në veri të vendit po bëhet në kuadër të fushatës elektorale të kryeministrit Albin Kurti.
Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”, deputeti Abazi theksoi se me këto ndërveprime Kurti po kërkon një mandat të dytë qeverisës me çdo kusht
“Kjo është në vijim të asaj që z. Kurti po bën në Veriun e Kosovës. Thjeshtësia e kësaj pune është se kemi edhe komuna të tilla në jug të Kosovës që vazhdojnë të punojnë në mënyrë paralele.
Por Kurti po përdor veriun që të bëjë fushatë me këtë, por kjo është në dëmin e të ardhmes së Kosovës në marrëdhënie me Perëndimin.
Kjo është ideja që Kurti do me çdo kusht një mandat të dytë, pasi është i frikësuar nga dështimet e njëpasnjëshme të çështjeve që prekin direkt qytetarët e Kosovës. Dhe mesa duket ai po ndërmerr veprime të tilla në veriun e Kosovës për të rritur ndjeshmërinë e qytetarëve.
Nuk ka shqiptar të vetëm që nuk do që Kosova të drejtojë në çdo cep të saj, por jo të shkëputur në marrëdhënie me partnerët evropianë dhe amerikanë”, u shpreh Abazi.
I pyetur lidhur me zhvillimet që vijnë nga Beogradi që u vizitua së fundmi nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron, dhe i cili u zotua se Franca do të monitorojë kushtet në të cilat jeton minoriteti serb në Kosovë, Abazi theksoi se kjo është thikë me dy tehe.
“Kjo sepse nga njëra anë kemi Francën që e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Në anën tjetër kemi të bëjmë me faktin se Vuçiç po mundohet të krijojë një realitet paralel dhe të bindë ndërkombëtarët se gjoja minoriteti serb në Kosovë është i kërcënuar dhe kjo është qartazi rrjedhshmëria e tij strategjike në mënyrë që Vuçiç një ditë të mund të kthehet në një mundësi për një intervenim të Sebisë gjoja për të mbrojtur minoritetin serb dhe për ta mbrojtur ekzistencën e tij.
Pra, me këto akte nuk jemi duke u afruar mes njëri-tjetrit që të shkojmë në një normalizim, por jemi duke shkuar drejt përplasjes së radhës, por se kur do të vijë ky moment nuk e dimë.
Por deklarata e presidentit Macron është tregues i qartë i mbështetjes së kësaj propagande të Vuçiçit dhe për ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për këtë”, u shpreh ndër të tjera deputeti i Kosovës, Haki Abazi.



