"Dështimi" i diplomacisë së Kosovës, Veliu: Në kohën që Serbia nënshkruan marrëveshje me Kinën dhe Francën, Kurti merret me urën, ta hapim apo mos ta hapim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se duan bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Francën, derisa potencoi se e konsiderojnë aleat dhe partner shumë të rëndësishëm.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë që presidenti Emmanuel Macron, zhvilloi një vizitë punë në Beograd, ku u nënshkruan një sërë marrëveshjesh mes Serbisë dhe Francës.
Dhe në këndvështrimin e njohësit të çështjeve rajonale Lulzim Veliu qëndrimi i Francës dhe presidentit të saj Macron nuk kanë ndryshuar sa i përket Kosovës.
Në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News" Veliu theksoi se pavarësisht marrëveshjeve të fundit të nënshkruara mes Parisit dhe Beogradit, presidenti Macron nuk ka anashkaluar çështjen e Kosovës sa i përket planit franko-gjerman për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne e dimë shumë mirë se nëse do të ketë ndryshime në nëntor me zgjedhjet në SHBA nuk është se do të na shkojë shumë përshtat Kosovës, apo palës shqiptare në tërësi”, u shpreh ndër të tjera Veliu.
Ndërsa lidhur me vizitën e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë Piro Vëngu në Kosovë, vizitë që vjen menjëherë pas lajmit e armatosjes së Serbisë me blerjet e fundit në Francë.
“Për momentin nuk shikoj ndonjë konflikt të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kemi KFOR-in dhe NATO-n aty. Mirëpo duhet se si Kosova ashtu edhe Shqipëria duhet të jenë më afër njëra-tjetrën dhe më të koordinuara mes tyre, pasi jetojnë në një kohë kur një luftë e tretë botërore është më afër se kurrë.
Ne i kemi parë të gjitha vendet që kanë bërë investime të mëdha në armatime, dhe kjo duhet të bëhet edhe nga dy qeveritë tonë. Mirëpo ato duhet të bëhen me shumë qetësi dhe të mos trumbetohen në media, pasi është e panevojshme që të propagandohen në media këto blerje.
Pasi ne si vende të vogla që jemi, mbrojtja e vetme është bashkëpunimi dhe koordinimi me fuqitë e mëdha, si e vetmja mënyrë për të arritur sigurinë e qytetarëve të tyre.
Vetë presidenti Macron ia bëri të qartë nbë Beograd se avionët do t’i marrin nga Franca, por në asnjë mënyrë që nuk do të ketë shans që ato të përdoren në ndonjë konflikt në Ballka apo Evropë. Dhe këtë e kam të sigurtë që Presidenti Macron ia ka bërë shumë të qartë Serbisë. Pra, ia bërë të qartë që të pranojë disi Kosovën dhe të ndahet nga politika e saj e dyanshme.
Por nga ana tjetër shikojmë se Serbia pret në takime Kinën apo nënshkruan marrëveshje ushatarake me Francën, qeveria e Kosovës merret me urën, ta hapim apo mos ta hapim. Dhe ky është dallimi mes dy diplomacive të dy vendeve”, theksoi Veliu.
Deklaratat e Macron në Beograd
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, u takuan të enjten në Beograd. Ai ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ai ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili është i një rëndësie kyçe për Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Francës ka theksuar se janë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, teksa ka shtuar se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.



