Tajfuni “Shanshan” shkakton 3 të vdekur e dhjetëra të plagosur në Japoni. Frikë për përmbytje dhe rrëshqitje të dheut

Tajfuni Shanshan që ka goditur Japoninë jugore, i ka marrë jetën 3 personave si dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë. Pritet evakuimi i miliona banorëve teksa janë bërë paralajmërime se stuhia mund të jetë një nga më të fortat që ka goditur ndonjëherë Japoninë jugperëndimore.

Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pasi erërat me shpejtësi 112 milje në orë goditën rajonet jugore të Japonisë.

Tajfuni Shanshan goditi Japoninë jugore mëngjesin e kësaj të enjte duke shkaktuar frikën për përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëmtime të mëdha në ndërtesa.

Autoritetet bëjnë me dije se një person është zhdukur teksa kanë bërë thirrje për evakuimin e miliona banorëve për shkak të shiut të rrëmbyeshëm dhe erërave të forta.

Tajfuni Shanshan goditi ishullin jugor të Kyshu dhe përfshiu disa rajone të tjera si qendra e qytetit në Miyazaki.

Qindra fluturime të brendshme që lidhin qytetet dhe ishujt jugperëndimor janë anuluar, sikundër edhe trenat.

Nga moti i keq pritet që 250 mijë shtëpi të mbeten pa energji elektrike.

Autoritetet paralajmëruan se stuhia mund të jetë një nga më të fortat që ka goditur ndonjëherë Japoninë jugperëndimore.

Ndikimi i tajfunit ende nuk është ndjerë në rajonin e Tokios, ku parashikohet reshje të dendura shiu në fund të javës.