Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë për Ukrainën, Gazën dhe Venezuelën
Ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen sot në Bruksel për të diskutuar luftërat në Ukrainë dhe Gaza si dhe zgjedhjet e diskutueshme presidenciale në Venezuelë.
Takimi është joformal, që do të thotë se ministrat nuk pritet të marrin ndonjë vendim zyrtar.
Ai do të kryesohet nga shefi i çështjeve të jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Takimi fillimisht do të mbahej në Budapest, por ministrat e zhvendosën atë në Bruksel për të protestuar ndaj takimit të kryeministrit hungarez Viktor Orban me presidentin rus Vladimir Putin, në fillim të korrikut.
Një diskutim i luftës Rusi-Ukrainë me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba është pika e parë e rendit të ditës.
Dy vjet e gjysmë pas pushtimit të përgjithshëm rus të Ukrainës në shkurt 2022, Kievi këtë muaj befasoi botën duke pushtuar Rusinë me një ofensivë në rajonin e Kurskut.
Ministrat më pas do të kenë një drekë pune me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan për të diskutuar marrëdhëniet BE-Turqi dhe “çështjet globale me interes të përbashkët”, sipas një deklarate nga shërbimi diplomatik i BE-së.
Çështja e tretë për t’u diskutuar janë përpjekjet për të arritur një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit.
Ministrave do t’u bashkohet Sigrid Kaag, e cila koordinon përpjekjet humanitare të Kombeve të Bashkuara në Gaza.
Më në fund, ministrat e Jashtëm do të diskutojnë krizën politike që përfshiu Venezuelën pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut.
Gjykata e Lartë e vendit vendosi javën e kaluar që presidentit aktual Nicolas Maduro i takonte mandati.
Por, vendet, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Perunë, Argjentinën, Ekuadorin, Panamanë, Uruguain dhe Kosta Rikën thonë se rezultatet zgjedhore janë mashtruese dhe se kandidati i opozitës Edmundo González është fituesi i vërtetë.


