Mbahet takimi i rrallë SHBA-Kinë për marrëdhëniet mes dy ushtrive
Jake Sullivan, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit amerikan, Joe Biden, mbajti një takim të rrallë sot me një nga gjeneralët kryesorë të Kinës gjatë vizitës së tij në Pekin, në atë që duket të jetë një shenjë e afrimit midis Kinës dhe SHBA.
Gjenerali Zhang Youxia, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak në Pekin, tha se ”takimi tregoi respektin e lartë të Sullivan për marrëdhëniet midis ushtrive amerikane dhe kineze”.
”Si këshilltar i Bidenit, Sullivan luan një rol vendimtar në formulimin e strategjive të sigurisë së SHBA dhe koordinimin e politikës ndaj Kinës”, shtoi Zhang.
Komisioni Qendror Ushtarak është organi më i lartë vendimmarrës ushtarak i Kinës dhe kryesohet nga presidenti kinez, Xi Jinping.
Shtëpia e Bardhë tha se, në takim, Sullivan “theksoi se të dy vendet kanë një përgjegjësi për të parandaluar kalimin e konkurrencës në konflikt ose konfrontim”.
”Të dy palët ripohuan rëndësinë e komunikimeve të rregullta ushtarake si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur diplomacinë e nivelit të lartë dhe linjat e hapura të komunikimit siç udhëzuan presidenti Biden dhe presidenti Xi në Samitin Woodside të nëntorit 2023”, shtoi Shtëpia e Bardhë.
“Sullivan dhe Zhang njohën përparimin në komunikimet e qëndrueshme dhe të rregullta ushtarako gjatë 10 muajve të fundit dhe planifikuan edhe një telefonatë në një të ardhme të afërt”, tha Shtëpia e Bardhë.
Sullivan është këshilltari i parë i sigurisë kombëtare i SHBA-së që viziton Kinën në tetë vjet, një periudhë në të cilën marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë tensionuar nga shqetësimet tregtare dhe të sigurisë.
Takimi i nëntorit midis Biden dhe Xi në Kaliforni pas një viti heshtjeje të plotë, ringjalli në një masë komunikimin midis Uashingtonit dhe Pekinit.

