Kirurgji pa ndalur rrahjet e zemrës, ndërhyrja e veçantë në Spitalin Amerikan 3 i shpëton jetën pacientit shqiptaro-amerikan
I ardhur nga Amerika për pushime, Namik Marke ishte duke shijuar ditët e verës në Vlorë kur papritur ndjeu dhimbje të forta në gjoks.
Shqiptaro-amerikani u dërgua me urgjencë në Spitalin Amerikan 3, ku gjatë procedurës së Koronarografisë, mjeku kardiolog Edjon Hajro konstatoi se pacienti kishte bllokim të arteries koronare të djathtë dhe ngushtim kritik të trungut kryesor të majtë, që përbënte rrezikshmeri të lartë për jetën.
Kjo urgjencë mjekësore kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të specializuar kirurgjikale, e cila në Spitalin Amerikan 3 trajtohet me teknikën e avancuar dhe delikate bypass koronar off-pump / beating heart, gjatë së cilës zemra nuk ndalet pa komplikacioneve dhe me rehabilitim të shpejtë.
Spitali Amerikan 3 është ndër të paktat qendrat shëndetësore në rajon që kryejnë këtë lloj operacioni delikat.
Ndërhyrja te pacienti 56 vjeçar, u realizua me sukses nga kirurgët kardiovaskularë Artan Jahollari dhe Bledar Hodo së bashku me kardiokirurgun Ilir Tanku dhe ekipin e sallës.
Tashmë disa ditë pas ndërhyrjes Z. Namik është në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të lërë spitalin për t’iu rikthyer përditshmërisë duke patur kujdes këshillat mjekësore për një stil jetese të shëndetshëm.
