Turizmi i ''jep frymë'' ekonomisë, eksperti Ozuni: Gushti, muaji që ka bërë gjithmonë diferencën
Eksperti i turizmit, Feriolt Ozuni në një intervistë në Ora News u shpreh se muaji gusht gjithmonë ka bërë diferencën pasi mbush boshllëqet.
Ozuni: Jemi të dyzuar mes një paradoksi të çuditshëm sivjet, sepse ashtu siç të gjithë kemi qenë prezent nëpër plazhe dhe çfarë kemi parë nga mediat dhe portalet online kemi parë shumë momente që janë deklaruar plazhet bosh, mungesë njerëzish, operatorët ekonomikë të cilët operojnë në industrinë turistike që kanë deklaruar pakënaqësite e tyre me numrin e turistëve apo me të ardhurat e parashikuara.
Në të njëjtën kohë kemi parë qytetet të cilat kanë pasur grupe turistësh massive, qytete të cilat në periudhën e verës normalisht në Shqipëri kanë qenë bosh.
Dhe ky paradoks e ka ndarë kryesisht tregun në dy kategori të ndryshme, ata që prisnin shumë nga plazhi dhe të cilët kishin investuar për plazhet dhe kishin pritshmëri shumë të mëdha dhe ata që i kapi papërgatitur nëpër qytete sepse nuk prisnin këtë numër të madh turistësh në qytete.
Por kjo tregon faktin që tashmë Shqipëria nuk e ka turistin vetëm për plazh qoftë edhe në verë, por është një vend i cili turisti vjen në çdo moment për të shijuar të gjitha ato çka vendi ynë ofron.
Muaji gusht gjithmonë ka bërë diferencën pasi mbush boshllëqet.
