VIDEO/ Dje i shpërthyen ujërat, "shqetësohet" qeveria! Balluku inspekton punimet e rrugës në tunelin e Murrizit

Një ditë pasi “Ora News” denoncoi skandalin me cilësinë e punimeve të kompanisë “Gjoka” në rrugën e Arbrit, zëvendëskryeministrja Belinda Ballu ka inspektuar nga afër situatën në tunelin e Murrizit, aty ku një ditë më parë u mbush me ujë nga pak minuta reshje shiu në zonë.

Zëvendëskryeministrja Balluku gjatë inspektimit theksoi rëndësinë që ka kjo vepër, e cilado të shkurtojë ndjeshëm distancën mes qarkut të Dibrës dhe kryeqytetit, duke nxitur njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik të zonës, ku vitet e fundit është rritur numri i njësive akomoduese si dhe numri i vizitorëve.

Puna në tunel vijon me ritme të shpejta, tha Balluku, duke synuar përfundimin e tij brenda vitit 2024.

“I kemi vënë vetes disa afate që unë shpresoj shumë që t’i mbajmë, pasi ky është një akses i jashtëzakonshëm për në verilindjen e vendit dhe më pas për në veri.

Dibra e ka shumë të rëndësishme këtë rrugë, por jo vetëm Dibra, pasi sot e gjithë krahina e Matit gjithashtu është duke u zhvilluar nga ana e agroturizmit dhe nga ana e njësive të tjera industriale.

Duhet thënë që është një akses për në dy pika kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht është një nga rrugët më të rëndësishme që lidh kryeqytetin.

Kështu që unë shpresoj shumë që ky tunel, si përfundim dhe kurorëzim i kësaj vepre, i të gjithë Rrugës së Arbrit, të mbyllet brenda vitit 2024 dhe me gjasa duket sikur gjërat po ecin”, bëri të ditur Belinda Balluku.

Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës.

VIDEO-DENONCIMI I “ORA NEWS”

Kanë mjaftuar pak minuta shi verë që tuneli i Murrizit të nxjerrë ujë nga brenda.

Sipas një videoje të siguruar nga "Ora News", shihet në dalje të tunelit teksa uji “buron” nga një pjesë e tij.

Uji më pas kalon në asfalt jashtë tunelit duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve në një krah.