PLEHRA PËR TË TËRË/ Ekspertët në këmbë! Diku: Shqipëria në situatë alarmante tani që flasim, jo më kur të vijnë të tjera mbetje
Qeveria shqiptare ka publikuar në faqen e Konsultimeve Publike projektligjin mbi rregullat e importit të mbetjeve.
Për ekspertin e mjedisit Abdulla Diku nisma rrezikon të shtojë volumin e mbetjeve në vend në një kohë që sipas tij ende nuk ka një menaxhim të duhur.
“Ne aktualisht në këtë moment, jemi në një emergjencë mjedisore për shkak se incineratorët nuk funksionojnë dhe mbetjet kanë tejmbushur vendet e depozitimeve të tyre të caktuara për këtë qëllim.
Së dyti, i hapet rrugë importit dhe eksportit të mbetjeve në vendin tonë. Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri është pothuajse në nivelin zero. E keqja është pikërisht ky ligj, i cili ripropozohet nga qeveria. Ajo që pritet të ndodhë është fakti që do të shtohet volumi i mbetjeve në vend”, thotë ai.
Madje ai shprehet edhe më skeptik duke parë dhe debatin për incinerimin.
“Ligji aktual e nxjerr procesin e incinerimit si hapin e fundit në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve, ndërkohë që atë hapin e fundit që e kemi në ligj e kemi kthyer të parin në veprim. Dhe kjo është një gjë kontroverse në raport me atë që ndodh përditë.
Duhet të kthehet ai angazhimi i qeverive, të cilat e ndërmarrin në periudha fushatash elektorale që importi i mbetjeve, tranzitimi i tyre në territorin e Shqipërisë duhet të ndalohet njëherë e mirë”, shprehet eksperti i Mjedisit Abdulla Diku.
Projektligji, synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, thotë në nenin 73 se në përgjithësi importi i mbetjeve në Shqipëri ndalohet me përjashtim të rasteve kur Këshilli i Ministrave e lejon.


