Vrasja e kryeplakut në Memaliaj, nga një person i shpallur në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike

Kanë ndryshuar rrethanat e ngjarjes kriminale për vrasjen e kryeplakut të fshatit Zhapokike të Memaliaj, Faik Ajdini, i cili u gjend i pajetë buzë një përroi që lidhet me lumin Vjosa.

Policia e Gjirokastrës, thotë se ka mundur të identifikojë personin që besohet ka kryer krimin e rëndë.

Ky person është një individ i zonës, i cili aktualisht është në kërkim nga policia për kultivim të lëndëve narkotike në këtë zonë.

Blutë e Gjirokastrës pretendojnë se kultivimi i drogës është bërë shkak për vrasjen e kryeplakut të fshatit, pasi Faik Ajdini në shumë raste ka bashkëpunuar me policinë lokale për denoncimin e parcelave apo gastrave të tokës.

Një nga këto gastrat e mbjella në këtë zonë është zbuluar dhe asgjësuar nga policia, ndërsa në kërkim është shpallur personi që aktualisht dyshohet se ka kryer vrasjen me thikë të Faik Ajdinit.

Policia lokale ka filluar kontrollet në zonë me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e personit që kryeu vrasjen e 72-vjeccarit në fshatin Zhapokike të Memaliaj.