Ministri Hoxhaj takim me krerët e ICITAP-it: Ta bëjmë Policinë një profesion më të besueshëm
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxhaj shprehet shumë i kënaqur nga takimi me drejtuesit e Programit Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnimet mbi Hetimet Kriminale (ICITAP), në Tiranë.
“U shpreha mirënjohje për ndihmën që ICITAP ka ofruar për Qeverinë Shqiptare, e konkretisht për agjencitë e zbatimit të ligjit, në zhvillimin e kapaciteteve të tyre, si dhe konfirmova gatishmërinë maksimale për të çuar më tej e thelluar bashkëpunimin.
Z. Richard Deasy më siguroi për vijimin e asistencës, trajnimet për Policinë e Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, si dhe ekspertizën në reformat legjislative, apo investime në fushën e sistemeve të teknologjisë së informacionit.
Theksova se objektiv kryesor në detyrën time si Ministër i Brendshëm dhe pritshmëritë në lidhje me bashkëpunimin me ICITAP janë trajnimet profesionale të drejtuesve policore, fuqizimi teknologjik dhe standardizimi i proceseve të punës së strukturave të varësisë i fokusuar në parandalimin e risqeve, rritja e etikës dhe integritetit të punonjësve, duke e bërë Policinë një profesion më të besueshëm dhe njëkohësisht të dëshiruar nga të rinjtë e të rejat”, thekson ministri Hoxhaj.

