Politika ''debat'' për Lojërat Olimpike/ Rama i përgjigjet Berishës: Duhet të krenohemi, medaljen e parë e solli Valiev
Fitorja historike e Shqipërisë me dy medalje bronzi në mundje u bë shkaktar për debatin politik të radhës.
Në një postim të gjatë në Facebook, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha se medaljen e parë për Shqipërinë në fakt e ka sjellë Ymer Pampuri dhe jo rusi i natyralizuar Chermen Valiev.
Sipas Ramës, e vërteta qëndron ndryshe.
“Ymer Pampuri bëri një sukses e bujë të jashtëzakonshme duke dalë i pari në stilin e forcës (asokohe kishte tre stile gara e ngritjes së peshave), por i nënti në klasifikimin e garës olimpike të Mynihut, si rrjedhojë e rezultatit shumë më të ulët në tre stilet e kombinuara.
Medalja e Ymer Pampurit nuk është medalje olimpike, por është medalja e artë në stilin përkatës në kampionatin botëror që atë vit luhej paralelisht në të njëjtën garë olimpike.”
Me cilësime si miza dhe mushkonja, kreu i qeverisë nuk la pa ironizuar edhe zërat që kujtojnë kombësinë ruse të medalistëve.
“Miza dhe mushkonjat prapa saj, nuk e ane pa e vënë kujën e pa e nxjerrë gjuhën edhe për faktin se medalisti ynë i parë në histori, Chermen Valiev, është një talent nga Osetia – zona e pushtuar e Gjeorgjisë prej trupave ushtarake ruse – i cili erdhi në Shqipëri, mori nënshtetësinë shqiptare dhe derdhi shumë lotë pse një gjykim i dyshimtë i katër sekondave të fundit në ndeshjen e mëparshme, i hoqi mundësinë të garonte në finale për medaljen e arit.”
Nuk la pa përmendur as kushtet në të cilat ndodhej sporti 10 vite më parë.
“Miza dhe mushkonjat e nënkësulës politike, kinse patriotike, e përqeshën gjuhëjashtë edhe numrin e vogël të përfaqësueses shqiptare në Paris, por nuk kanë se si ta kujtojnë dot që Shqipëria e deri para dhjetë vjetëve nuk kishte as palestra shkollash, as një pallat lojrash me dorë të standarteve europiane, as stadium për skuadrën kombëtare.”
Kryeministri e mbylli postimin e tij duke u shprehur se tashmë Shqipëria duhet të gëzojë për medaljet e marra dhe se nuk është koha që të fitojmë edhe në fusha të tjera.
