Teliti: Sipërmarrja dhe profesionistët e lirë meritojnë drejtësi dhe trajtim të njëjtë para ligjit
Koordinatori për Programin Ekonomik në PD, Dorjan Teliti, denoncon moskthimin e kësteve të paguara nga profesionistët e lirë tashmë që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues këtë taksim të qeverisë Rama.
Më poshtë statusi i Telitit:
Qeveri që vetëm vjel, qeveri që nuk pyet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. C'po ndodh me profesionistët e lirë?
Vendimi i Gj.K.-së ishte i qartë, taksimi mbi profesionistët e lirë ishte antikushtetues.
Fakt 1: Nën presion të përditshëm të organeve tatimore, 30 mijë profesionistë të lirë u detyruan të paguanin këstet e këtij taksimi.
Fakt 2: Një ditë ti vonosh pagesat e detyrimeve tatimore, menjëherë hyjnë në fuqi kamatvonesat.
Po kur qeveria nuk të rikthen taksën që të ka marrë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, cfarë ndodh?
Kush e mban përgjegjësinë për moszbatimin e vendimit të GjK-së?
A do të aplikohen kamatvonesa për mos kthimin në kohë në xhepin e profesionistëve të lirë të miliona e miliona eurove të vjela padrejtësisht pak muaj më parë?
Morali i fabulës së qeverisë: "bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë".
Shqipëria, sipërmarrja dhe profesionistët e lirë meritojnë drejtësi dhe trajtim të njëjtë para ligjit, ndaj ndryshimi është sot domosdoshmëri kombëtare!
