TJETËR DOSJE “PROBLEMATIKE”/ SPAK po heton Veliajn edhe prishjen e Teatrit Kombëtar, Berisha: Hetimi me urdhër të Ramës
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për prishjen e Teatrit Kombëtar, ngjarje kjo e regjistruar në orët e para të 17 Majit të vitit 2020.
Përmes një dokumenti që po qarkullon në media, (kthim përgjigje nga SPAK me datën 8 Gusht), vihet re se hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kundër Erion Veliajt.
Bëhet fjalë për procedimin penal nr. 29 të vitit 2020, ku Veliaj akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Hetimet janë ende në fazën paraprake, teksa prokurorja e SPAK që e ka marrë në dorë këtë çështje është Dorina Bejko.

Ndërkohë që SPAK ka nisur hetimet kundër Veliajt në lidhje me këtë çështje, disa ditë më parë, ky i fundit shpërndau në media “kasetën” ku shfaqej me disa aktorë “pro” tij dhe lajmëronte se pas 4 vitesh në territorin e Teatrit Kombëtar kishin nisur punimet për ndërtimin e një parkimi nëntokësor.
Por përtej kësaj ajo që mbetet e paqartë është fakti se pse SPAK konfirmon pas 4 vitesh nisjen e hetimeve për Teatrit e ri Kombëtar kundër Veliajt dhe pse nuk u kujtua më parë.
A kemi të bëjmë me një “drejtësi me regji” nga dikush më lart se Veliaj në hierarkinë socialiste dhe qeverisëse?
Po ashtu, nuk dihet edhe nëse Veliaj ka qenë në dijeni të nisjes së këtyre hetimeve që u shfaq papritmas edhe në ai në territorin e ish-Teatrit Kombëtar.
ALIBIA E BERISHES
Nisja e hetimeve nga SPAK kundër Veliajt për prishjen e Teatrit Kombëtar janë komentuar edhe nga kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur ditën e djeshme.
Nga ballkoni i banesës ku qëndron i izoluar që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, Berisha deklaroi se kreu i SPAK, Altin Dumani u kujtua për ta hapur këtë dosje për ta mbyllur përfundimisht.
“Urdhëroni çfarë ndodh me drejtësinë e re. Të nderuar partnerë, pasi u shemb Teatri Kombëtar njëshekullor, pasi u shemb në një akt prej Neroni, Gjykata Kushtetuese mori vendim të ndërpresë çdo akt dhe i dha të drejtë qytetarëve të Tiranës dhe Aleancës.
Pas katër vitesh, drejtësia e re e mercenarëve si Zamani u kujtua më në fund të hapë dosjen për ta mbyllur përfundimisht këta faqezinj që nuk kanë ligj as moral, por zbatojnë vetëm urdhra të një kryehajduti që quhet Edi Rama. Që blen dhe shet çdo ditë dhe shkatërron Shqipërinë”, tha Sali Berisha.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është i shumë akuzuar nga opozita dhe ka publikuar prova dhe dokumente kundër tij edhe në lidhje me atë që njihet ndryshe si “afera e incineratorit të Tiranës”, apo edhe së fundmi me dosjen e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës përmes kompanisë “5D”, por deri më tani ai ka mbetur i paprekur nga drejtësia.
Gjithashtu, në media janë publikuar edhe dokumentet se SPAK ka nisur një hetim pasuror kundër Veliajt.
PRISHJA E TEATRIT KOMBËTAR
Në orët e para të mëngjesit të 17 Majit të vitit 2020, fadromat dhe efektivë të Policisë nxorën nga godina aktorët dhe shembën fasadën e Teatrit Kombëtar.
Gjatë gjithë asaj dite dhe atyre që pasuan, në Tiranë u zhvilluan protesta dhe shumë persona, aktorë, aktivistë të Teatrit dhe qytetarë u shoqëruan në Polici.
Këshilli i Ministrave përmes një vendimi ia kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës truallin ku ndodhej Teatri Kombëtar dhe më pas Këshilli Bashkiak vendosi për shembjen e tij.
Në orën 04.00 të mëngjesit të 17 Majit të atij viti u shemb me premtimin e se shumë shpejt aty do të ndërtohej Teatri i ri, që deri më sot nuk ekziston.



