Zgjatet mandati i diplomatëve/ Ndryshon ligji për ambasadorët dhe konsujt
Mandati i një ambasadori në seli diplomatike do të zgjatet në 4 vite. Në ligjin e ri të depozituar për konsultim publik, diplomatët shqiptarë së bashku me konsujt do të shërbejnë në misionet diplomatike një vit më shumë. gjithashtu ata nuk do të kenë mundësinë për të ushtruar më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme.
Ambasadorëve shqiptarë do t’iu zgjatet mandati i misionit të tyre diplomatik me një vit më shumë.
Në projektligjin e ri për shërbimin diplomatik, i hedhur për konsultim publik parashikohet që diplomatët do të qëndrojnë në shtetet ku përfaqësojnë Shqipërinë për 4 vite.
Në ligjin aktual, i cili u ndryshua në vitin 2015 thuhet se ambasadorët mbajnë mandatin për tri vite.
E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për konsujt me shërbim jashtë, ndërsa gjithashtu parashikohet se asnjë diplomat apo konsull nuk do të mund të ushtrojë funksionin e tyre për më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme.
Gjithashtu me ligjin e ri, neni 33 pika 3 parashikon se për t’u bërë ambasador apo konsull nuk ka nevojë për lidhje të domosdoshme me politikën e jashtme.
Shqipëria ka shtruar diplomacinë e saj në 43 shtete të botës me nga një ambasadë dhe në disa nga këto 43 shtete ka shtruar edhe Konsullata të Përgjithshme.


